Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt shkeli në tokën shqiptare mesditën e kësaj të premteje, duke hapur kështu një kapitull të ri në misionin diplomatik amerikan në Tiranë. Pasi mbërriti në aeroportin e Rinasit, nën një protokoll të lartë sigurie, Eric Wendt udhëtoi drejt rrugës së Elbasanit për t’u ndalur tek godina e ambasadës amerikane. Një ditë pas mbërritjes së tij në Shqipëri, ambasadori Wendt, do i drejtohet Pallatit të Brigadave ku në orën 11 është planifikuar të mbahet ceremonia e dorëzimit të letrave kredeciale tek presidenti i republikës, Bajram Begaj. Diplomati amerikan do të zhvillojë edhe një takim kokë më kokë me kreun e shtetit. Ndërkohë që në ditët e ardhshme do të ketë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, duke filluar nga ministri për europën dhe punët e jashtme, Ferit Hoxha.