Kryeministri Edi Rama ka folur në New York për zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, duke e cilësuar rritjen e numrit të udhëtarëve dhe zgjerimin e lidhjeve ajrore si një prej treguesve të transformimit të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rritja e trafikut në aeroportin e kryeqytetit, duke theksuar se prej disa vitesh ai renditet ndër aeroportet më të mëdha të rajonit për nga numri i pasagjerëve.
“Është viti i 5 apo i 6 që kemi aeroportin më të madh në rajon”, deklaroi Rama, duke shtuar se Aeroporti i Tiranës tashmë ka më shumë udhëtarë se aeroporti i Beogradit.
Sipas kryeministrit, rritja e aeroportit përbën një nga treguesit konkretë të ndryshimeve që ka përjetuar Shqipëria vitet e fundit. Zgjerimi i trafikut ajror lidhet me rritjen e turizmit, shtimin e lëvizjeve ndërkombëtare dhe forcimin e lidhjeve të vendit me Europën.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në lëvizjen e udhëtarëve dhe në zhvillimin e sektorëve të turizmit dhe ekonomisë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një pikë lidhëse me vendet e rajonit dhe më gjerë.


