Në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me tone të ashpra për dënimin e bujshëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Veçanërisht, për privimin e lirisë së ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Rama tha se SHBA dhe Joe Biden e tradhëtuan Hashim Thaçin.
“Ai nuk është me ne sot këtu dhe ai nuk mund të jetë sot me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi! Joe Biden-i që e emërtoi George Washingtoni i Kosovës, e tradhtoi! Sepse edhe pse gjenerali Clark dhe disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin, George Washingtoni-n e Kosovës. Kjo s’më bën të ndihem mirë dhe dua ta ndaj.
Dua të ndalem këtu sepse nuk dua të them më shumë…
Askush nuk duhet të me keqkuptojë, kur them tradhtuar, e kam fjalën se ne jemi të gjithë shumë të vegjël. Edhe së bashku nuk jemi të mëdhenj, por ne kemi kremtuar e do të kremtojmë gjithmonë faktin se si shqiptarë jemi miq me më të mëdhenjtë e më të fortët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj, ndihem i tradhtuar! Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. Së pari e mbi të gjitha, duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, deklaroi Rama për Thaçin.













