
Pas vendimit të marrë në Kryesi, deputetët e Partisë Demokratike kanë dorëzuar zyrtarisht në Kuvend projektligjin për ndarjen e Shqipërisë në 100 bashki.
Dokumenti nuk është asnjë më shumë se projekti i prezantuar në fillim të muajit Gusht nga bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, duke kundërshtuan draftin e ps që synon tkurrjen e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 45.
Njësoj siç bënë edhe socialistët, demokratët shprehen se dokumenti duhet të dërgohet për mendim edhe një sërë institucioneve.
“Projektligji së bashku me relacionin shoqërues duhet t’i dërgohet për mendim zyrtar: Këshillave bashkiak të 61 bashkive; Këshillave të qarqeve të 12 qarqeve; Këshillit të Ministrave; Kontrollit të Lartë të Shtetit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komitetit të Pakicave Kombëtare dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil”, thuhet në projektligjin e PD.
Në realcionin shpjegues, shprehen kundër procesit të ndjekur deri më tani nga Kuvendi për dokumentin e shumicës, demokratët tregojnë edhe arsyen se përse kërkojnë që Shqipëria të ndahet në 100 bashki.
“Mbi bazën e analizës teknike të ekspertëve të PD të Komisionit të Posaçëm, vlerësimit të përvojës së Reformës Administrativo-Territoriale 2014 dhe nevojës për një model të ri të qeverisjes vendore, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon: 100 bashki + 12 qarqe të mbështetura nga: Decentralizimi real; autonomia financiare, kompetenca të qarta, përgjegjësia dhe llogaridhënia; demokracia lokale dhe zhvillimi i balancuar territorial”, vijon projektligji.
Teksa demokratët kërkojnë të fitojnë kohë me këtë projektligj, socialistët kanë pohuar se drafti i tyre do të miratohet në seancë në 8 ose 15 tetor. (A2 Televizion)