
Komisioni Europian u shpreh sot se i beson Strukturës së Posaçme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Në një reagim konkretisht për çështjen e Vlora Hysenit, ish-shefes së SHISH, zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier tha se po ndiqen zhvillimet me kujdes sa i takon këtij rasti.
“Siç e dini, ne nuk komentojmë çështje në vazhdim. Por mund të them se ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm. Kemi besim të plotë në aftësinë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Mercier.
Reagimi vjen pas zbulimit të komunikimeve të shumta mes Hysenit dhe biznesmenit Ergys Agasi, i hetuar në dosjen e prokurimeve të AKSHI-t. Mes tyre janë regjistruar 508 komunikime nga fundi i qershorit deri në fund të gushtit, periudhë gjatë së cilës Agasi ishte në kërkim.
Prokuroria dyshon se ish-shefja e SHISH i ka dhënë Agasit informacione konfidenciale, ndërsa Hyseni ka pranuar komunikimet, por ka mohuar bashkëpunimin kriminal. Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit në shtëpi ndaj saj më 24 shtator./Versus.al

