BOTA, 25 September 2026, 19:54

Aeroporti i Milanos merr zyrtarisht emrin “Silvio Berlusconi”

Aeroporti i Milanos merr zyrtarisht emrin “Silvio Berlusconi”

Aeroporti i Malpensas në Itali është emëruar zyrtarisht “Silvio Berlusconi”, në nderim të ish-kryeministrit italian dhe themeluesit të Mediaset.

Ceremonia e inaugurimit të emrit të ri u zhvillua mëngjesin e së premtes, 25 shtator, në aeroportin e Vareses, në prani të familjarëve të Berlusconit dhe figurave të larta politike e institucionale.

Në ceremoni ishte e pranishme vajza e tij, Marina Berlusconi, e cila tha se ndihej e emocionuar dhe krenare që aeroporti, i cili pret çdo ditë mijëra udhëtarë nga e gjithë bota, do të mbajë emrin e të atit. Ajo e përshkroi Berlusconin si një njeri që “gjithmonë kërkonte dialogun me të gjithë”.

Në emër të familjes foli edhe vëllai i tij, Paolo Berlusconi. Ai u shpreh se aeroporti përfaqëson një portë drejt Europës dhe botës dhe se emërtimi i tij me emrin e Silvio Berlusconit është një mënyrë për të ruajtur kujtimin e tij. “Sot Silvio nuk është më, por është më i gjallë se kurrë”, tha ai, duke përmendur trashëgiminë e tij në biznes, sport, media dhe politikë.

Edhe Marta Fascina, ish-partnerja e Berlusconit dhe deputete e Forza Italia-s, reagoi përmes një postimi në Instagram. Ajo shkroi se nga tani, sa herë që një udhëtar do të niset nga aeroporti “Silvio Berlusconi” dhe të ngrihet në qiell, ish-kryeministri do të jetë aty për ta shoqëruar. Fascina iu drejtua edhe kritikëve të Berlusconit, duke thënë se ata do të vazhdojnë ta shohin madhështinë e tij.

Në ceremoninë zyrtare morën pjesë presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, presidenti i Lombardisë, Attilio Fontana, si dhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini. Ky i fundit e cilësoi Berlusconin një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të historisë politike italiane dhe tha se emërtimi nuk është një akt partiak, por një njohje e rolit të tij.

Por ceremonia u shoqërua edhe me polemika për mungesën e kryebashkiakut të Milanos, Giuseppe Sala. Salvini shprehu keqardhje për mungesën e tij, ndërsa Sala tha se kishte kundërshtuar këtë vendim dhe se prania e tij në ceremoni do të ishte në kundërshtim me qëndrimin që kishte mbajtur.