Kryeministri Rama nga Asambleja e OKB-së: AI luajti rolin e saj! U fabrikua pushtimi izraelit i Shqipërisë, që nuk ndodhi kurrë
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e OKB-së kryeministri Edi Rama ceku përdorimin dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale te qytetarët, duke theksuar se ekziston mundësia e dezinformimit.
Kryeministri përmendi dhe protestën qytetare të ashtuquajtur “Revolucionin Flamingo” të cilën tha se u fabrikua narrativë e një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar, pushtim që nuk ndodhi kurrë, e cila u përcoll përmes kanaleve që qytetarët u besonin tashmë.
“Keni ndjekur ose keni mësuar për Revolucionin Flamingo, narrativë të trilluar të një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar, pushtim që nuk ndodhi kurrë, u fabrikua dhe u përcoll përmes kanaleve që qytetarët u besonin tashmë. Qytetarët kanë arsye të protestonin, por protestuan edhe kundër një armiku fantazmë. Frika u shndërrua në zemëratë, kjo në mobilizim dhe trillimi në realitet politik. Nuk ishte eksperiment politik. Algoritmi nuk shpiku dhe ndezi urrejtjen, por zbuloi se si të aktivizonte urrejtjen tonë.
Ne jemi një komb që po e jetojmë të ardhmen, të cilën shumë po e debatojnë. Unë kam një mesazh të thjeshtë dhe këtë ua detyrohemi të gjithë juve: rreziku më i madh nuk është se IA do të ndalojë njerëzimin, por rreziku është që mund të bindë njerëzit e gabuar” tha kryeministri i vendit nga Asambleja e OKB-së.
Referuar debateve për kufizimin e inteligjencës artificiale, kryeministri Rama tha se Shqipëria është kundër këtij qëndrimi, ndërsa shtoi se sovranitet digjital që shtetet të ndërtojnë sisteme mbrojtjeje nga manipulimet e qytetarëve.
“Ne jemi kundër. Ne nuk mund të rregullojmë veten tonë deri në pafuqi. Për këtë pyetje, presidenti i SHBA-ve ka të drejtë, duhet të përshpejtojmë. IA në shërbim të qytetarëve, të përgjegjshme. Përgjigjja është kapacitet demokratik. Një inteligjencë sovrane artificiale do të thotë që asnjë vend të mos jetë i pafuqishëm para vendeve që s’mund t’i kuptojë. Çdo vend duhet të jetë i aftë të mbrojë gjuhën e vet, të zbulojë koordinimet e manipuluara dhe të informojë qytetarët pa u varur nga një korporatë e largët” shtoi Rama.
Më tej kreu i qeverisë shqiptare zbuloi se Shqipëria po përgatitet të ndërtojë një pasqyrë dixhitale të mbështetur në AI për të cilën tha se të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato që shihen dhe përmes saj synohet transparencë e që shoqëria shqiptare të mbrohet nga një botë të mbushur e gënjeshtra që udhëtojnë pa viza.
“Ja pse Shqipëria po ndërton një pasqyrë digjitale mbështetur mbi IA. Pasqyra do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato që shihen. Nuk do t’u thotë qytetarëve çfarë duhet të mendojnë. E drejta duhet të mbrohet haptazi. Pasqyra jonë ka për synim të shndërrohet në një infrastrukturë transparence, të mbrojë shoqërinë nga një industri gënjeshtrash.
Qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo manipuluar. Arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente, kush e krijoi apo shënjestroi. Sovraniteti dixhital s’mund të jetë privilegj i rezervuar për shtetet më të pasura. Gënjeshtrat udhëtojnë pa viza. Algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë”, theksoi Rama.
