Një zjarr i madh ka përfshirë një ndërtesë akomodimi në Garnizonin Catterick, në Yorkshire të Veriut, Angli, duke lënë një person të lënduar.
Ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje, ndërsa Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Yorkshire të Veriut dërgoi disa ekipe në vendngjarje pas raportimit për zjarrin në një prej ndërtesave të kazermës.
Kur mbërritën, zjarrfikësit gjetën ndërtesën të përfshirë plotësisht nga flakët. Për shuarjen e zjarrit u përdorën edhe mjete të posaçme, ndërsa pas ndërhyrjes së ekipeve flakët u vunë nën kontroll dhe u shuan.
Një person u dërgua në spital pasi kishte thithur tym gjatë incidentit. Nuk janë bërë të ditura detaje të tjera për gjendjen e tij shëndetësore.
Ekipet e emergjencës qëndruan në zonë edhe pas shuarjes së zjarrit për të monitoruar situatën, ndërsa kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkakut të flakëve.
Zjarri dyshohet se ka nisur në Kazermat e Gazës, ku ndodhet edhe selia e një regjimenti të ushtrisë britanike.
Garnizoni Catterick është një prej qendrave kryesore të ushtrisë britanike për stërvitjen e personelit dhe përfshin edhe struktura të rëndësishme të trajnimit të këmbësorisë.


