Edi Rama
SHBA- Kryeministri Edi Rama foli për protestat në Tiranë, të cilat po vijojnë prej më shumë se tre muajsh, përmes të cilave është kërkuar dorëheqja e tij nga qeveria. Megjithatë, ai sërish nuk u mor me thelbin dhe problematikat për të cilat qytetarët protestojnë, por u justifikua duke ia vënë fajin algoritmit.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rama tha se një narrativë e rreme për pushtimin e bregdetit shqiptar nga Izraeli u përdor për të nxitur reagime te qytetarët.
Sipas tij, qytetarët kishin arsye për të protestuar, por rrugës u përballën me pretendime që nuk kishin ndodhur në realitet. Ai tha se algoritmi aktivizoi urrejtjen, ndërsa zemërimi u bë mobilizim.
Edi Rama: Jam i bindur se ju e keni ndjekur revolucionin e flamingove, një narrativë e fabrikuar për pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që s’ka ndodhur kurrë, por kjo u fabrikua dhe u përcoll përmes zërave, faqeve dhe kanaleve. Qytetarët i kanë besuar tashmë. Qytetari mori një histori të tradhtisë kombëtare, një tjetër të provokimit fetar, një tjetër për një pushtim të jashtëm. Fabrikime të ndryshme u futën në botë të ndryshme emocionale dhe të gjitha i shërbenin gënjeshtrës strategjike. Pasojat ishin reale. Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet.
Nuk ishte eksperiment, nuk po ju flas për film. Ishte një e martë në Tiranë. Algoritmi nuk shpiku objektivin, këtë e bëri një aktor njerëzor. Ky është mashtrim sistematik. Ndërhyrja në zgjedhje nuk kërkon më që një TV publik apo një propagandë t’i drejtohet një popullate të tërë. Tashmë mund të ndikojë te vullneti i çdo votuesi./Dosja.al