Nga Dr. Kujtim Halili
Më 25 qershor 1977, në qytetin industrial të Velenjes në Slloveni u inaugura një monument madhor i Josip Broz Titos, vepër monumentale e realizuar në bazë të kompozimit të skulptorit të njohur kroat Antun Augustinčić, me zbatimin teknik të Vladimir Herljević dhe Ivan Pavić. Kjo vepër, e vendosur sipas zgjedhjes vetë të Augustinčić gjatë vizitës së tij në Velenje, përfaqëson një pikë referimi të rëndësishme të kujtesës kolektive të periudhës jugosllave dhe të identitetit historik të qytetit.
Ngjarja e fundit e vandalizimit, ku statujës së Titos i është prerë koka gjatë natës, ngre jo vetëm çështjen e dhunës ndaj artit publik, por edhe atë të interpretimit, konfliktit dhe aktualizimit të trashëgimisë monumentale në shoqëritë post-socialiste (Figura. 1).
Antun Augustinčić (1900–1979) konsiderohet një nga skulptorët më të rëndësishëm monumentalë të shekullit XX në hapësirën jugosllave. Estetika e tij ndërton një sintezë midis traditës së akademizmit evropian (veçanërisht të skulpturës kroate të shek. XIX–XX), monumentalizmit realist dhe një ekspresiviteti të matur heroik, shpesh të lidhur me figurën e individit si arketip i historisë kolektive.
Kjo qasje ikonografike e bën krijimtarinë e tij thelbësore për identifikimin e narrativëve vizuale të socializmit jugosllav, ku figura njerëzore është medium i ideologjisë, por edhe i një lirizmi të fshehtë etik (Figura. 2).
Në historinë e skulpturës monumentale të hapësirës jugosllave, gjuha artistike rreth figurës së udhëheqësit dhe heroit kolektiv është formësuar nga disa prej emrave më të spikatur si: Antun Augustinčić, Frano Krstulović, Ivan Meštrović dhe Vojin Bakić. Pavarësisht diversitetit të tyre estetik, ata kontribuan në ndërtimin e semiotikës vizuale të identitetit historik jugosllav, ku figura skulpturore shërbeu si mjet i politikës së kujtesës.
Në ikonografinë e monumenteve të Titos të realizuara nga Augustinčić, shfaqet një model i qëndrueshëm: Tito nuk përfaqësohet si sundimtar triumfues, por si udhëheqës modest, me trup të disiplinuar, të heshtur dhe të qëndrueshëm. Ky model vjen si kundërvënie ndaj statujave pompoze të liderëve totalitarë të shekullit XX si monumentet staliniste, të cilat idealizojnë dominimin dhe hierarkinë. Përkundrazi, ikonografia e Titos është ndërtuar për të përfaqësuar autoritet moral, jo imponim vizual.
Augustinčić përdor uniformën partizane si kod të origjinës popullore të pushtetit, por edhe si vijë narrative të identitetit kolektiv jugosllav. Uniforma nuk e idealizon trupin, nuk e atletizon, si në realizmin socialist sovjetik; ajo e mbulon dhe e kufizon.
Trupi i figurës nuk ka gjeste të ekzagjeruara; nuk ka ngritje të dorës, as retorikë fizike. Augustinčić redukton gjestualitetin për të artikuluar personalitetin e brendshëm, jo karizmën spektakolare. Figura e Titos nuk është trup heroik, por mendje historike.
Në nivel estetik: krijon volume monumentale.
Në nivel simbolik: shndërrohet në mbulesë të popullit, një lloj “epopeje vizuale” që mbron kolektivin.
Augustinčić krijon një tension të qëllimshëm midis dimensionit monumental dhe humanist. Edhe kur përmasa është gjigante, mbetet i pranishem një intimitet vizual. Kjo është veçanërisht e dukshme në statujën e Velenjes: monumenti preporcionohet me sheshin, por ruan pikërisht brishtësinë e shikimit të ulur, duke krijuar një kontrast midis trupit monumental dhe psikologjisë së heshtur. Ky kontrast e bën "Titon" e Augustinčić një figurë më afër epikes morale sesa kultit totalitar të personalitetit.
Monumentet që i referohen periudhave politike të së kaluarës, sidomos atyre të regjimeve të forta ideologjike, nuk janë thjesht objekte artistike, por bartës simbolikë të kujtesës kolektive. Statuja e Titos në Velenje është një shembull tipik i “monumenteve të identitetit të ndërtuar”, të cilët synonin të materializonin figurën e liderit si simbol të unitetit federal dhe modernizimit socialist jugosllav.
Në nivelet ikonografike dhe plastike, figura e Titos paraqitet në një pozicion meditativ. Ky model ikonografik, identik me versionin më të hershëm të vitit 1947 vendosur në Kumrovec, synonte të krijonte një “arkitekturë të heroit të përulur”, ku lideri paraqitet si figurë moralisht e disiplinuar dhe e lidhur me popullin.
Siç u analizua më sipër, Augustinčić ndërton figurën e liderit dhe luftëtarit jo në dimensionin karizmatik të dominimit, por në atë të authority ethics (autoritetit moral). Te Tito dhe figurat partizane, trupi është i mbuluar, i përmbajtur, i depatetizuar vizualisht.
Franco Krstulović përfaqëson modelin tjetër të monumentit partizan jugosllav: heroin aktiv, trupor, ekspresiv dhe retorik. Figura ka gjestikulacion të lartë, shpesh e kapur në lëvizje dhe përpjekje fizike. Dallohen muskulatura dhe dinamikat e tensionit trupor. Heronjtë partizanë paraqiten në momentin e betejës. Pozat ekspresive synojnë epikën luftarake.
Meštrović, më i vjetër se të tjerët, nuk e ndërton aksionin politik si ikonografi të drejtpërdrejtë; ai krijon figurën e heroit ontologjik, të lidhur me identitetin kulturor, shpirtëror dhe mitologjik. Veprat e tij (si monumentet e Vidovdanit) nuk i përkasin realizimit socialist por krijojnë një metafizikë ballkanike të sakrificës, martirizimit dhe lavdisë.
Ndërsa Bakić përfaqëson kulmin e modernizmit jugosllav, ku monumenti largohet nga figura njerëzore. Ai krijon forma abstrakte metalike dhe betoni që simbolizojnë energji, shpërthim, ringjallje, kujtesë kolektive pa antropomorfizëm. Në vend të portretit të udhëheqësit, ai ndërton memorien anonime.
Këta skulptorë krijojnë së bashku një hartë ikonografike të kujtesës jugosllave, ku figura e heroit, liderit dhe kolektivit transformohet nga antropomorfizmi etik (Augustinčić), në heroizëm epik (Krstulović), në spiritualizim mitologjik (Meštrović), e deri tek abstraksioni memorial (Bakić). Ky krahasim synon të vërë në dukje dallimet ikonografike, stilistike dhe semantike midis tyre si dhe diversitetin plastik në skulpturën publike- memorifike jugosllave.
Duke e parë monumentin e Titos në Velenje përmes këtij konteksti, vepra e Augustinčić del në pah jo vetëm si objekt politik i kujtesës, por si model etik-estetik unik, i lidhur me modernitetin humanist të një epoke të caktuar historike. Vandalizimi i saj e rimerr skulpturën nga statusi statik dhe e rivendos në qendër të debatit për trajtat e kujtesës post-jugosllave, duke e konfirmuar se arti monumental nuk pushon kurrë së vepruari.
Vandalizimi i monumentit (në këtë rast, prerja e kokës), përbën një akt semiotik që synon të shpërbëjë një simbol të legjitimitetit historik. Në shoqëritë post-socialiste, monumentet e figurave të mëdha të së kaluarës shpesh kthehen në terren debati mbi rolin e kujtesës politike. Prerja e kokës, si akt brutal, simbolikisht synon të “azgjasojë identitetin” e figurës, duke e zhveshur atë nga autoriteti dhe prania e saj në hapësirën publike.
Megjithëse Tito mbetet një figurë komplekse dhe e diskutueshme, ky akt nuk përfaqëson debat kritik, por shndërrohet në një dhunë të drejtuar kundër trashëgimisë historike dhe artit publik.
Aktualizimi i fundit — prerja e kokës së monumentit — merr dimensione ikonografike të kundërta. Në veprën e vet, koka e ulur simbolizonte përulësi dhe reflektim; në aktin vandal, prerja e saj synon fshirjen e subjektit moral.
a. Ironikisht, vandalizimi e forcon pikërisht aspektin simbolik të veprës.
b. Koka e prerë transformon monumentin nga ikona e një udhëheqësi në objekt debati historik.
c. Vepra kalon nga memorja “unifikuese” në material traumatik të kujtesës kolektive.
Ky ndryshim statusi e bën skulpturën objekt të ri interpretimi, duke treguar se ikonografia monumentale nuk është kurrë e vdekur; ajo rishkruhet nga historia.
Në këtë kontekst, reaksioni i menjëhershëm i autoriteteve të Velenjes — dënimi publik, kapja e autorit të vandalizmit dhe deklarata e bashkisë se koka do të rikthehet — tregon vlerësimin institucional për rolin e monumentit si pjesë e identitetit urban dhe të trashëgimisë kolektive.
Debatet mbi ruajtjen e monumenteve të figurave të periudhave ideologjike janë të pranishme në mbarë Evropën Lindore. Monumentet e realizuara në periudhën jugosllave nuk janë vetëm objekte ideologjike, por edhe vepra arti me vlerë estetike, teknike dhe historike.
Krijimtaria e Antun Augustinčić, një ndër skulptorët më të shquar të shekullit XX në hapësirën ballkanike, përfaqëson trashëgimi të veçantë të modernizmit monumental. Shembja apo dëmtimi i tyre nuk prek vetëm interpretimet politike, por dëmton një kapitull të historisë së artit dhe urbanizmit.
Një qasje bashkëkohore kërkon ndërtimin e politikave të menaxhimit të kujtesës, ku monumentet të mund të trajtohen si dokumente kulturore, të shoqëruara me kontekst, interpretim kritik dhe edukim publik, e jo si objekte të polarizimit ideologjik.
Rasti i vandalizimit të monumentit të Titos në Velenje nuk është thjesht akt dëmtimi fizik, por një ndërhyrje që godet kujtesën historike, trashëgiminë kulturore dhe vlerat e artit publik. Mbrotja e monumenteve të tilla nuk implikon domosdoshmërisht pajtim ideologjik me periudhat që ato simbolizojnë, por afirmon rëndësinë e ruajtjes së historisë dhe të pasurisë artistike që shoqëritë trashëgojnë.
Përmes konservimit, restaurimit dhe edukimit, monumentet e debatueshme mund të kthehen në instrumente dialogu, reflektimi dhe studimi, duke i shërbyer rolit të tyre si pasuri kulturore të patjetërsueshme.
Statuja e Titos nga Augustinčić nuk është thjesht monument politik; ajo është një mekanizëm kompleks vizual i ndërthurjes midis etikës, historisë dhe estetikes monumentale. Përmes ikonografisë së përulësisë, Augustinčić krijon një model unik të liderit: jo si sundimtar mitik, por si ndërgjegje historike e kolektivit.
Ngjarja e fundit në Velenje na kujton se monumentet, pavarësisht dëmtimeve, vazhdojnë të jetojnë, jo vetëm si objekte bronzi, por si struktura të debatit dhe ndërgjegjësimit historik dhe qytetarë.
Lini një Përgjigje