Një grup dokumentesh arkivore, të nxjerra herë pas here në dritë, forcojnë dyshimet se Adolf Hitleri mund të ketë qenë përgjegjës për vdekjen e mbesës së tij, e cila u gjet pa jetë në banesën e diktatorit në Mynih në vitin 1931. Në atë kohë, ngjarja u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.
Të lidhura
None found
Angela ‘Geli’ Raubal, 23 vjeçe, u zbulua e vdekur me një plagë plumbi në gjoks, ndërsa pistoleta e përdorur ishte pronë e Hitlerit.
Sipas dokumenteve zyrtare, Hitleri — i cili po rriste ndjeshëm popullaritetin, por ende nuk kishte marrë kontrollin e Gjermanisë — ishte nisur nga Mynihu drejt Nurembergut një ditë para vdekjes së mbesës. Ky version i ngjarjeve krijonte një alibi kohore që përjashtonte përfshirjen e tij në vdekjen e saj.
Megjithatë, historiani gjerman Harold Sandner thotë se ka gjetur një element në regjistrin zyrtar të vdekjeve të Mynihut që përcakton datën dhe orën e gjetjes së trupit të Raubal. Bëhet fjalë për orën 10:15 të mëngjesit të 18 shtatorit 1931. Dy njoftime vdekjeje të zbuluara në arkiva mbajnë po ashtu të njëjtën datë. Nëse këto të dhëna janë të vërteta, atëherë vdekja e Raubal do të ishte regjistruar rreth 24 orë më herët se sa mendohej më parë, çka e vendos Hitlerin në Mynih në momentin kur u gjet trupi i saj i pajetë, shkruan CNN. Të dhënat zyrtare tregojnë se ai u nis për në Nuremberg vetëm pasditen e 18 shtatorit.
Sipas historianit Sandner, këto të dhëna kontradiktore lënë të kuptohet për një fshehje të mundshme të vrasjes nga ana e zyrtarëve policorë që mbështesnin Partinë Naziste të Hitlerit. Gjetjet e tij u publikuan fillimisht nga revista gjermane Der Spiegel dhe do të trajtohen gjerësisht në librin e tij të ardhshëm, “Vdekja e Angela ‘Geli’ Raubal: Vetëvrasje apo lojë e ndyrë?”, që pritet të dalë muajin e ardhshëm.
Thomas Weber, ekspert për Gjermaninë naziste dhe njohës prej shumë vitesh i Sandner, i tha CNN se historiani është “jashtëzakonisht i përpiktë” dhe se dokumentet e tij janë të besueshme.
Një pjesë e madhe e historianëve beson se Hitleri ishte i dashuruar me Raubal dhe se qëndrimi i tij ndaj saj ishte bërë tejet kontrollues dhe posesiv. Pak para vdekjes së saj, mendohet se Hitleri dhe Raubal patën një debat për shkak të dëshirës së saj për t’u shpërngulur nga Mynihu në Vjenë, ku ajo donte të ndiqte studimet muzikore. Të dhënat e sapozbuluara nuk e zgjidhin misterin se si vdiq Raubal.
Megjithatë, ato risjellin në vëmendje pyetje që kanë mbetur të hapura për gati 100 vjet rreth asaj që ndodhi saktësisht brenda shtëpisë së tij në Mynih ditën e vdekjes së saj.
