Altin Preka, efektiv i Policisë së Shkodrës, rrëfen për “Piranjat” historinë e përplasjeve të tij me eprorët dhe kolegët, që sipas tij kanë nisur prej vitesh.Preka pretendon se ka denoncuar problematika brenda FNSH-së Shkodër, përfshirë presione ndaj efektivëve dhe abuzime me dieta, por që sipas tij në vend që të nisnin hetimet për drejtuesit e repartit, ishte ai që përballej me masa disiplinore të njëpasnjëshme.
Në vitin 2020, ai thotë se një shpërthim me tritol ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ishte me familjen. Preka pretendon se ende nuk ka marrë informacion nga Policia dhe Prokuroria për autorët apo përfundimin e hetimit.Një tjetër përplasje, po në vitin 2020, lidhet me një koleg në Shëngjin dhe pretendimin për nxjerrjen e armëve.
Prokuroria e Lezhës e pushoi çështjen, duke konkluduar se konflikti ishte verbal, ndërsa Policia e Shkodrës nisi një hetim paralele dhe pavarësisht vendimit të Prokurorisë, ai mori një masë disiplinore që më vonë do ta penalizonte.
Në vitin 2024, Preka u përfshi në një tjetër hetim, pasi disa kolegë pretenduan se e kishin parë duke ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Personat e përfshirë e mohuan konfliktin, ndërsa Prokuroria e Shkodrës nuk nisi procedim penal ndaj efektivit. Në këtë rast, të gjitha dëshmitë e kolegëve të tij, ishin kundër Prekës.
Në qendër të denoncimeve të Prekës është ish-komandanti i FNSH-së Shkodër, Hamdi Shullani, të cilin ai e akuzon për presione dhe penalizime të padrejta. Përballë ‘’Piranjave’’, ish-Komandanti i FNSH-së në Shkodër, Hamdi Shullani i mohon akuzat ndërsa refuzon të përgjigjet në lidhje me dy ngjarje të denoncuara nga Altini, që përfshijnë drejtëpërdrejtë Shullanin, në ngjarje të rënda kriminale. Po ashtu ai nuk u përgjigj nëse disponon apo jo çertifikatë sigurie.
Por rrëfimi i Prekës nuk përfundon këtu, detaje tronditëse dhe ngjarje që do të shkundnin besimin e tij tek Policia, do të trajtohen episodin e ardhshëm. Kush e kërcënoi me jetë Altin Prekën në krye të detyrës? Ndiqni episodin e ardhshëm…/ Piranjat/
© SYRI.net