web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

SI PRODHOHET NJË KONSPIRACION?

25 Shtator 2026, 21:28, Opinione Erion Dasho

SI PRODHOHET NJË KONSPIRACION?

Konspiracioni i radhës është se Parlamenti Evropian ka konfirmuar se me vaksinat kundër COVID-it është organizuar një "llotari" ku disa të vaksinuar kanë marrë doza me përqendrim të ulët, ndërkohë të tjerët kanë marrë doza "vdekjeprurëse".
Konspiracionisti origjinal vjen nga Australia, është jurist dhe shkruan për gjithçka që prodhon "lajm", duke nisur nga vaksinat dhe duke e mbyllur me luftën në Ukrainë (sigurisht duke mbështetur versionin pro-rus të ngjarjeve).

Le ta nisim duke ndarë propagandën nga faktet. Është e vërtetë se eurodeputeti Marcel de Graaff ka shtruar disa pyetje në Parlamentin Europian lidhur me ndryshimet midis loteve të vaksinave, të dhënat e efekteve anësore dhe transmetimin e COVID-it. Këto pyetje e kanë bazën tek një studim danez që gjeti variacione midis disa loteve të vaksinave anti-COVID të marra në shqyrtim.

Edhe njëherë, artikulli në fjalë raporton se ka dyshime për variacion midis loteve dhe se këto dyshime duhen studiuar më tej, para se të konfirmohen. Deputeti ka të drejtën e vet që bazuar në studimin në fjalë të ngrejë pyetje dhe të kërkojë hetim të hollësishëm mbi gjetjet, çka në fakt e kërkojnë edhe vetë autorët.

Po konspiracionistët?!

Këta nuk kanë asnjë dyshim!

Mjafton që një eurodeputet ngre një pikëpyetje dhe konspiracionistët i vënë vulën "fakteve" të mëposhtme:

- dikush ka prodhuar qëllimisht një “dozë vdekjeprurëse” të vaksinës;
- njerëzit janë ndarë në mënyrë sekrete në grupe për një eksperiment çnjerëzor;
- EMA ka zbuluar një komplot dhe më pas e ka fshehur; etj., etj.

Dhe "kryepërfundimi" është se ndodhemi përpara një “krimi kundër njerëzimit”!!!

***

E kam përsëritur me dhjetëra herë në postime, artikuj dhe intervista se një efekt anësor i raportuar pas vaksinimit nuk do të thotë automatikisht se efekti në fjalë është shkaktuar nga vaksina.

Nëse dikush pëson infarkt, insult apo vdes pas vaksinimit, ngjarja regjistrohet dhe raportohet. Më vonë kryhet hetim i thelluar profesional për të kuptuar nëse ky efekt anësor është shkaktuar ose jo nga vaksina.

Le të jap për të disatën herë një shembull. Fakti që në verë shiten më shumë akullore dhe mbyten më shumë njerëz duke u larë në det, nuk do të thotë se akulloret janë shkaktare të mbytjeve. Por, për një konspiracionist anti-akullore ky "fakt" do të mjafton për t'i shpallur akulloret "vrasëse".

Kjo është arsyeja pse një grafik efektesh anësore të raportuara nga sistemet VAERS nuk provon se këto dëme janë shkaktuar nga vaksina. Lidhja mund të jetë po aq e "fortë" sa edhe lidhja midis akulloreve dhe mbytjeve në det.

Dhe nëse dikush pretendon se ka prova për një “vaksinë vdekjeprurëse”, le të publikojë të dhënat, metodologjinë dhe analizën statistikore dhe jo titujt bombastikë dhe mashtrimet e sharlatanëve të çdo cepi të globit.

Ka ardhur, madje ka kaluar, koha që shoqëria të veprojë kundër konspiracionistëve që nuk lënë rast t'u shpëtojë pa ngjallur frikë e panik...





19:14 Opinione Luan Rama

TRADHËTIA NDAJ SHTETIT

Nuk jam i prirur t’i konsideroj e as t’i besoj gjithë sa p...

16:13 Opinione Arben Ramkaj

Horizonti i Elbasanit

Kur Evlija Çelebi mbërriti në Elbasan më 1670, e përshkroi...

11:47 Opinione Luçiano Boçi

TË RROFTË EMRI…

Rama mendon se njerëzit duan thjesht emrin, lugën bosh e p...

21:11 Opinione Lutfi Dervishi

Orët e Tiranës

Tik -taku i gjashtë muajve Tirana politike sot i ngjan sp...

Lajmet e fundit nga