Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, u ndal te ndikimi i algoritmeve dhe Inteligjencës Artificiale në formësimin e perceptimeve publike, duke sjellë si shembull zhvillimet që ai i cilësoi si “revolucioni i flamingove” në Shqipëri.
Rama foli për një narrativë që, sipas tij, u krijua dhe u përhap në rrjetet sociale, lidhur me pretendimin për një pushtim izraelit të bregdetit shqiptar, duke theksuar se një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur.
“Kishim narrativën e trilluar të një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar. Një pushtim që kurrë nuk ndodhi. U fabrikua, u personalizua e u përcoll përmes zërave, faqeve e kanaleve të cilave qytetarët u besonin tashmë. Një qytetar dëgjoi një histori të një provokimi fetar, ndërsa tjetri përftoi konspiracionin e një pushtimi të huaj”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, i njëjti pretendim u përshtat me perceptimet dhe emocionet e grupeve të ndryshme të qytetarëve, duke krijuar versione të ndryshme të së njëjtës narrativë.
“Trillime të ndryshme hyjnë në botë të ndryshme emocionale, të gjitha në shërbim të së njëjtës gënjeshtre strategjike dhe pasojat ishin reale”, u shpreh ai.
Rama tha se qytetarët kishin arsye konkrete për të protestuar, por sipas tij, në një moment protestat nisën të orientoheshin edhe kundër asaj që e cilësoi si një “armik fantazmë”.
“Shprehja antisemite hyn në ligjërimin tonë publik për herë të parë ndonjëherë. Mos harroni, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa në fillim të saj. Frika u shndërrua në zemëratë, zemërata u shndërrua në mobilizim dhe trillimi u shndërrua në realitet politik dhe nuk ishte një eksperiment laboratorik”, tha kryeministri.
Duke iu referuar mënyrës se si u përhap kjo narrativë, Rama theksoi se bëhej fjalë për një situatë konkrete të jetës politike dhe shoqërore në Tiranë, dhe jo për një skenar hipotetik.
“Ky nuk ishte një film fantastiko-shkencor, por ishte thjesht një e martë në Tiranë”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, algoritmi nuk ishte ai që përcaktoi objektivin, por u përdor nga aktorë njerëzorë për të identifikuar mënyrat se si mund të aktivizoheshin emocionet dhe ndarjet ekzistuese në shoqëri.
“Algoritmi nuk shpiku objektivin. Ishte një aktor njerëzor që e bëri këtë. Algoritmi nuk e zhvilloi, nuk e ndezi urrejtjen, por zbuloi si ta aktivizonte urrejtjen tonë. Ky është mashtrim sistematik si shërbim”, tha Rama.
Kryeministri e lidhi këtë fenomen edhe me mënyrën se si mund të zhvillohet ndërhyrja në procese zgjedhore në epokën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.
Sipas tij, ndërhyrjet nuk kërkojnë më domosdoshmërisht një televizion të madh apo një propagandë që i drejtohet në të njëjtën mënyrë të gjithë popullsisë, pasi mesazhet mund të përshtaten sipas profilit dhe perceptimeve të secilit votues.
“Tashmë mund të veprojë me vendosmërinë e secilit prej votuesit. Kur kjo ndodh demokracia nuk humbet thjesht një debat apo thjesht një radhë zgjedhjesh. Humbet terrenin e përbashkët mbi të cilin bëhet i mundur debati dhe humb edhe mundësinë për ta pasur atë”, tha Rama.
Në vijim, ai e lidhi këtë zhvillim me konceptin e sovranitetit, duke argumentuar se në shekullin XXI mbrojtja e një shteti nuk lidhet vetëm me territorin, ujërat dhe hapësirën ajrore.
“Sovraniteti nuk gërryhet më në kufij. Në shekullin XX sovraniteti nënkuptonte kontrollin mbi tokën, ujërat territoriale dhe hapësirën kombëtare ajrore. Sot në Europë ne po vrapojmë si të marrë për të shtuar gjithmonë e më shumë, për të hedhur gjithmonë e më shumë para që nuk i kemi për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur qiejt tanë”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se krahas mbrojtjes së territorit dhe hapësirës ajrore, shtetet duhet të marrin në konsideratë edhe aftësinë e shoqërive për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët formojnë opinionet e tyre.
Sipas tij, nëse kjo aftësi mungon, mbrojtja e sovranitetit territorial dhe ajror nuk është e mjaftueshme.
“Duhet që kjo të nënkuptojë edhe aftësinë e një shoqërie të lirë për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët e tyre formojnë opinionin e vet. Pa këtë aftësi, sovraniteti mbi tokën, mbi qiejtë bëhet thjesht një iluzion”, përfundoi Rama.


