Një litër naftë kushton rreth 1.94 euro në Kosovë.
Një pjesë e çmimit që paguan konsumatori, përfundon drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit.
Vetëm vitin e kaluar, akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) mbi derivatet i sollën buxhetit mbi gjysmë miliardi euro: rreth 360 milionë euro nga akciza dhe 157 milionë nga TVSH-ja.
Tani, kur çmimet në pompa janë rritur sërish, përfaqësues të industrisë së naftës dhe bizneseve kërkojnë që Qeveria të heqë dorë përkohësisht nga një pjesë e këtyre të hyrave, për ta lehtësuar faturën e konsumatorit.
Por, jo të gjithë janë të bindur se ulja e taksave do të nënkuptonte automatikisht çmime më të ulëta në pompa.
Sa merr shteti nga një litër?
Për çdo litër naftë të importuar paguhet akcizë prej 0.36 eurosh.
Mbi bazën e tatueshme aplikohet edhe TVSH-ja prej 18 për qind.
Akciza për derivatet e importuara administrohet nga Dogana e Kosovës dhe derdhet në buxhetin e shtetit, ndërsa TVSH-ja është tatim mbi konsumin që përfundimisht bartet te konsumatori përmes çmimit të produktit.
Zekir Istogu, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, thotë se, më 22 shtator, kompanitë kosovare e blinin një litër naftë të sjellë deri në portet e Durrësit apo Selanikut për rreth 1.12 euro.
Mbi këtë çmim paguhet akciza prej 36 centësh për litër, ndërsa mbi shumën e krijuar aplikohet edhe TVSH-ja prej 18 për qind.

Sipas një përllogaritjeje të Radios Evropa e Lirë, bazuar në këto të dhëna, akciza dhe TVSH-ja së bashku arrijnë në rreth 63 centë për litër.
Në çmimin përfundimtar hyjnë edhe transporti dhe shpenzimet e tjera të kompanive.
Më 24 shtator, një litër naftë në tregun e Kosovës shitej deri në 1.94 euro, ndërsa një litër benzinë deri në 1.67 euro.
Sa kanë sjellë derivatet në buxhet?
Shifrat e Doganës së Kosovës tregojnë se derivatet janë burim i rëndësishëm i të hyrave publike.
Nga fillimi i vitit 2022 deri më 22 shtator 2026, Kosova importoi naftë në vlerë prej mbi 2.6 miliardë eurosh.
Gjatë kësaj periudhe, vetëm nga akciza mbi naftën u mblodhën mbi 1.3 miliard euro, krahas qindra miliona eurove nga TVSH-ja.
Të hyra shtesë siguron edhe benzina.
Nga viti 2022 deri në shtator të këtij viti, Kosova importoi benzinë në vlerë prej rreth 275 milionë eurosh.
Me rritjen e çmimeve, pikërisht këto taksa janë vënë në qendër të kërkesave për ndërhyrjen e Qeverisë.
Kosova varet nga importi për furnizimin me derivate dhe, rrjedhimisht, lëvizjet në tregjet ndërkombëtare transmetohen edhe në tregun vendor.
Istogu thotë se kompanitë kosovare kanë pak hapësirë për t’i amortizuar rritjet e mëdha të çmimeve të furnizimit.
“Institucionet – nëse aplikojnë diçka – e vetmja gjë që mund të ndryshojnë është heqja e përkohshme e akcizës ose ulja e TVSH-së. Cilado prej tyre ndikon direkt në xhepin e konsumatorëve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Çmimet ndërkombëtare janë rritur në mes të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pengesave në furnizimin me naftë./REL















