Kryeministri Edi Rama mbajti këtë të premte fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por në rreth 20 minuta fjalim nuk pati asnjë referencë për Kosovën, UÇK-në apo Gjykatën Speciale të Hagës.
Ndryshe nga pritshmëritë e krijuara në Kosovë, Rama e përqendroi adresimin e tij kryesisht te inteligjenca artificiale, zhvillimi i saj dhe nevoja për rregulla ndërkombëtare mbi përdorimin e teknologjisë.
Pikërisht kjo mungesë ishte vënë në qendër të vëmendjes nga mediat e Kosovës edhe përpara se Rama të ngjitej në podiumin e OKB-së.
Klan Kosova kishte ngritur pyetjen në titull: “Rama mban sot fjalim në OKB-së: A do të flasë për UÇK-në?”, duke evidentuar pritshmërinë për një qëndrim të kryeministrit shqiptar lidhur me çështjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Edhe Telegrafi raportonte para fjalimit se në Prishtinë pritej me interes nëse Rama do ta përfshinte këtë çështje në fjalën e tij.
Por pas fjalimit, fokusi i mediave kosovare ishte pikërisht te ajo që nuk u tha.
KOHA.net e pasqyroi me titullin: “Kosova pa zë në OKB, Rama flet për inteligjencën artificiale”. Media kosovare thekson se Kosova nuk u përmend në asnjë moment të fjalimit, ndërsa Rama foli për rreziqet dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe bëri thirrje për marrëveshje ndërkombëtare për një AI “sovrane dhe demokratike”.
Edhe KosovaPress e vuri në fokus pikërisht mungesën e kësaj teme, duke titulluar: “Edi Rama nuk e përmendi në OKB dënimin e drejtuesve të UÇK-së”.
Në të njëjtën linjë raportoi edhe Bota Sot. “Edi Rama nuk e përmendi në OKB dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, shkruan media kosovare, duke rikujtuar se Rama në deklarime të mëparshme e kishte kritikuar vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në vend të kësaj, Rama foli për inteligjencën artificiale, duke përmendur edhe “ministren Diella” dhe atë që e quajti “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa çështja e Kosovës dhe e ish-krerëve të UÇK-së mbeti jashtë adresimit të tij.
Reagimet e mediave kosovare vijnë në një moment të ndjeshëm, vetëm pak ditë pasi Gjykata Speciale në Hagë dha vendimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe kjo çështje ka qenë në qendër të debatit politik e publik në Kosovë.

















