Celebrities Gossip Showbiz

Hayden Panettiere ishte liruar nga rehabilitimi vetëm disa javë para vdekjes?

Detaje të reja mbi javët e fundit të jetës së aktores Hayden Panettiere kanë dalë në dritë, duke zbuluar se ajo kishte qëndruar në një qendër rehabilitimi në Malibu vetëm pak javë para se të ndërronte jetë.

Panettiere, e njohur për rolet në “Heroes” dhe “Nashville”, u gjet pa ndjenja më 16 gusht në një apartament në Greenville, Karolina e Jugut. Ajo ishte 36 vjeçe.

Sipas raportit të zyrës së mjekut ligjor të qarkut Greenville, të siguruar nga Associated Press, një person i pranishëm në vendngjarje u tha hetuesve se Panettiere kishte qëndruar në një qendër rehabilitimi në Malibu deri disa javë para vdekjes.

Babai i aktores, Skip Panettiere, konfirmoi gjithashtu për autoritetet se e bija ishte liruar së fundmi nga rehabilitimi, pasi kishte qëndruar atje për rreth dy ose tre javë.

Sipas raportit, njëri prej vëllezërve Hickerson, i cili ndodhej në apartamentin ku u gjet aktorja, u tha autoriteteve se Panettiere kishte një histori të gjatë të problemeve me drogën dhe alkoolin. Ai gjithashtu deklaroi se në të kaluarën i kishte administruar asaj Narcan, një medikament që përdoret për të rikthyer efektet e mbidozës nga opioidet.

Më 22 shtator, zyra e mjekut ligjor bëri të ditur zyrtarisht shkakun e vdekjes së Panettiere. Sipas raportit, ajo ndërroi jetë për shkak të efekteve toksike të fentanylit, 4-ANPP, alprazolamit, metokarbamolit dhe quetiapinës.

Vdekja u klasifikua si aksidentale dhe autopsia nuk zbuloi shenja traume që të kishin kontribuar në vdekjen e saj. Hetimi i autoriteteve megjithatë vijon.

Në apartament u gjetën gjithashtu tableta blu të cilat rezultuan pozitive për fentanyl, si dhe një substancë pluhuri e bardhë në valixhen e aktores.

Përfaqësuesja e familjes së Panettiere ka kërkuar që publiku të presë për përfundimin e hetimeve, duke theksuar se rrethanat e rastit janë komplekse.

Problemet e Panettiere me varësinë nuk ishin të panjohura. Aktorja kishte folur më parë hapur për vështirësitë e saj me alkoolin dhe substancat, si dhe për periudhat kur kishte kërkuar ndihmë profesionale.

Në vitin 2023, gjatë një interviste për “Women’s Health”, ajo kishte rrëfyer për përvojën e saj të parë në rehabilitim.

Unë isha ajo që e futa veten në qendrën e parë të trajtimit. Po mbytesha

-kishte thënë Panettiere.

Ajo kishte treguar se kishte kaluar një periudhë të vështirë psikologjike dhe se kishte përdorur alkool dhe drogë në përpjekje për të përballuar depresionin dhe ankthin.

Panettiere kishte përjetuar gjithashtu depresion pas lindjes së vajzës së saj, Kaya, të cilën e pati në vitin 2014 me ish-boksierin ukrainas Wladimir Klitschko.

Sipas raportit të mjekut ligjor, problemet me varësinë ishin përkeqësuar pas kësaj periudhe.

Vdekja e saj ka mbyllur tragjikisht jetën e një aktoreje që u bë e famshme që në moshë të re dhe që për vite me radhë kishte folur për përpjekjet e saj për të dalë nga varësia dhe për të rindërtuar jetën.