Health & Beauty Vitality Vibes | News

“Zemra ndalet për gjysmë ore…”/ Prof. Dr. Altin Veshti zbulon çfarë ndodh gjatë operacionit: Pacientët kanë frikë!

I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që duhet të tregojmë për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…

Prof. Dr. Altin Veshti, një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek që punon në të gjithë botën, por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri, duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë.

Gjatë intervistës, Ilvi Begolli e pyeti Prof. Dr. Altin Veshtin për frikën që sheh te pacientët në momentin kur u komunikohet se duhet t’i nënshtrohen një operacioni në zemër.

“Ka frikë. Ne kishim frikë kur jepnim një provim gjatë Fakultetit të Mjekësisë, jo më të mos kesh frikë të bësh një ndërhyrje në zemër. Zemra është motori i trupit dhe, sigurisht, ndërhyrjet që ne bëjmë realizohen nëpërmjet një aparati që quhet aparati i qarkullimit ekstrakorporal.

Kur shpjegojmë procedurën, që zemra do të ndalet për gjysmë ore, pacienti nuk e koncepton këtë. ‘Po unë si do të jetoj gjatë kësaj gjysmë ore?’, thotë. Pastaj i shpjegojmë në detaje që aparati është perfekt, zëvendëson zemrën dhe mushkëritë. Më pas zemra rifillon punën dhe ne, avash-avash, e heqim aparatin.

Sigurisht që ka frikë çdo pacient, por tashmë nuk duhet të kenë frikë, të them të drejtën, sepse cilësia e kirurgjisë ka ardhur duke u rritur dhe mund ta them realisht. Dje isha me një koleg italian, i cili erdhi dhe më pa duke operuar në sallë. Është një djalë i ri që punon në Verona dhe më tha: ‘Përveç transplantit të zemrës, ju bëni çdo gjë që bëjmë ne në Verona’. Kështu që tashmë është një cilësi europiane”, u shpreh Prof. Dr. Altin Veshti.