Lifestyle Music

Të njëjtat vargje të përsëriten gjithë ditën? Ja pse një këngë mund të të “ngecë” në kokë…

Të ka ndodhur të dëgjosh vetëm pak sekonda nga një këngë dhe më pas ta përsërisësh në mendje për orë të tëra? Edhe pse muzika ka përfunduar, refreni vazhdon të “luajë” ndërsa punon, ecën apo përpiqesh të flesh. Fenomeni njihet në anglisht si “earworm” dhe përshkruan momentin kur një melodi përsëritet spontanisht në mendjen tonë.

Këngët me refrene të thjeshta, ritme të përsëritura dhe melodi që mbahen mend lehtë kanë më shumë gjasa të fiksohen në kujtesë. Përsëritja mund ta përforcojë fenomenin, ndaj këngët që dëgjojmë vazhdimisht në TikTok, Instagram apo platforma të tjera mund të na mbeten më lehtë në mendje.

Por nuk është gjithmonë e nevojshme ta dëgjojmë këngën në atë moment. Një fjalë, një person, një vend apo edhe një kujtim mund të sjellë papritur në mendje një melodi që nuk e kemi dëgjuar prej kohësh.

Dhe si mund ta ndalojmë? Përpjekja me çdo kusht për të mos menduar për këngën nuk është domosdoshmërisht zgjidhja. Për disa njerëz mund të ndihmojë dëgjimi i saj nga fillimi deri në fund, ndërsa në raste të tjera përqendrimi në një aktivitet tjetër mund ta largojë gradualisht melodinë nga mendja.

Kështu që, nëse prej mëngjesit po përsërit të njëjtat pesë sekonda të një kënge, nuk je i vetmi. Truri yt thjesht ka vendosur ta vendosë në “repeat”.