Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Man. City shpallet fajtor për thuajse të gjitha 115 akuzat

Manchester City

Manchester City është shpallur fajtor për thuajse të gjitha akuzat të cilat i ishin ngarkuar, sa u përket rregullave financiare të Premier Leagues. 

“The Athletic” ka raportuar të premten se City është shpallur fajtor për 114 akuza nga 115 gjithsej. Sanksionet ende nuk janë caktuar. 

City pritet ta apelojë vendimin. 

City është në “luftë” me këto akuza prej vitit 2019, pas një raporti të publikuar nga “Der Spiegel”, që u bazua në punën e Rui Pintos, hakerit portugez. 

Pinto i kishte hakuar të gjitha llogaritë e “emailave” të klubeve dhe agjentëve të ndryshëm të futbollit. 

Ishte ky publikim që e shtyu UEFA-n ta hetojë Cityn, e më pas edhe Premier Leaguen. 

Në shkurt të vitit 2023, Premier League e akuzoi Cityn për shkeljen e mbi 100 rregullave financiare, shkelje të cilat përfshinin periudhën 2009 - 2018. 

Gjatë kësaj periudhe, City fitoi tre tituj të Premier Leagues, dy Kupa FA, katër Kupa të Ligës dhe një Superkupë të Anglisë. 

City arriti që nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) ta shmangë dënimin dyvjeçar të UEFA-s, në korrik të vitit 2020, ndërsa në vitin 2014 klubi u gjobit me afro 57 milionë euro për shkak të thyerjes së rregullave të UEFA-s për “Fair Play” financiar, ku afro 37 milionë euro të kësaj shume u pezulluan. 

Në shkurt të vitit 2023, City tha se ishte “befasuar” nga këto akuza. 

Në verën pasuese, kryetari i Cityt, Khaldoon Al Mubarak, ka thënë se Premier League duhet të bëj “qasje më të balancuar” për rregullat e veta financiare.

Çka thoshte Guardiola kur City u ngarkua me 115 akuza?

8 o. më parë / 25 sht 2026 19:05
Pep Guardiola

Pak ditë pasi Premier League e akuzoi Manchester Cityn për 115 thyerje të rregullave financiare, trajneri i atëhershëm, Pep Guardiola, e mbrojti jashtëzakonisht shumë klubin në konferencën për media. 

“Ajo që ka ndodhur prej ditës së hënë është e njëjta siç ndodhi me UEFA-n. Ne tashmë jemi të dënuar. Duhet ta kuptoni se 19 ekipe në Premier League po na akuzojnë neve pa e pasur aftësinë për t’u mbrojtur. Ne jemi të lumtur që jetojmë në një vend të mrekullueshëm, ku të gjithë konsiderohen të pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia. Ne nuk e kemi pasur këtë mundësi, ne jemi të dënuar tashmë. Jam plotësisht i bindur se do ta vërtetojmë pafajësinë tonë”, kishte deklaruar Guardiola.

City me Guardiolan i fituan 17 trofe madhor në 10 vjet. 

Evertoni ka qenë klubi i parë i Premier Leagues që është dënuar për thyerje të rregullave financiare, në nëntor të vitit 2023. I ishin hequr 10 pikë, ndërsa më pas ishte dënuar me vetëm minus-gjashtë pikë pas apelit. 

Manchester City prej vitit 2009 deri në vitin 2018, periudhë për të cilën po akuzohet, i fitoi tetë trofe.

Njëra prej akuzave me të cilën City po përballet është se ka bërë pagesa sekrete për ish-trajnerin Roberto Mancini, duke u shmangur nga regjistrat. City dhe Mancini e kanë mohuar këtë akuzë.

Çfarë dënimesh mund të marrë Man. City?

8 o. më parë / 25 sht 2026 18:54
City

Nuk është pritur që verdikti për Manchester Cityn të vinte i plotë edhe me sanksione. 

Ende nuk është zyrtarizuar fajësia e Manchester Cityt për 114 prej 115 akuzave që i janë bërë, por një gjë e tillë pritet të bëhet së shpejti nga trupi gjykues i pavarur. 

Megjithatë, për komisionin disiplinor, të gjitha opsionet janë të hapura. 

“BBC” ka shkruar të premten për dënimet me të cilat mund të përballet Manchester City. 

Njëri prej tyre është heqja e pikëve. 

Dënimi i dytë mund të jetë financiar. 

Dënimi i tretë është përjashtim nga Premier League. 

Nëse përjashtohet nga Premier League, City do ta humbte anëtarësimin në elitën angleze dhe do të binte një ligë më poshtë nga fundi i sezonit. 

Kjo mund të ndodh edhe përmes dënimit me pikë.

City do ta apelojë dënimin e mundshëm. 

Ekipi ligjor i Cityt udhëhiqet nga Lord Pannick KC, që fiton afro 6 mijë euro në orë për shërbimet e kryera. 

Ai e ndihmoi Cityn t’i shpëtonte dënimit dyvjeçar të UEFA-s në vitin 2020.