Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Fushë-Krujë, ku tre automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shkaktuar vdekjen e një 19-vjeçari dhe plagosjen e dy personave.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, në vendin e quajtur “Kameras”. Sipas informacionit paraprak të policisë, në aksident janë përfshirë tre automjete, të drejtuara nga shtetasit Blerim Durmo, 35 vjeç, dhe Enjo Shijaku, 18 vjeç, ndërsa drejtuesi i tretë është shtetasi L. S., 38 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, Blerim Durmo dhe Enjo Shijaku kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në njërin prej automjeteve ndodhej edhe 19-vjeçari Laert Zalla, i cili ka marrë plagë të rënda dhe, pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon veprimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


