Një ngjarje e rëndë u shënua natën vonë të së premtes, në Agios Panteleimona, në Athinë, pas një sulmi të armatosur nga persona të panjohur, që rezultoi në plagosjen e një fëmije të mitur.
Konkretisht, në orën 23:50 me orën greke, katër persona në një makinë iu afruan lokalit “Amora”, të vendosur në rrugën “Agorakritou” nr. 32, dhe hapën zjarr mbi të. Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin rreth 10 persona, të gjithë shtetas shqiptarë. Gjatë sulmit, një vajzë rreth 10 vjeç u plagos në këmbë.
E plagosura është vajza e pronarit të lokalit, shtetas shqiptar.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë sqaruar nëse plaga erdhi direkt nga një plumb i armës së zjarrit apo nga sendet e tjera të goditura.
Nëna e fëmijës, me origjinë shqiptare, nuk priti ambulancën dhe e transportoi menjëherë vajzën e vogël në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou” për kujdes mjekësor.
Ndërkohë, makina me të cilën dyshohet se kanë lëvizur autorët është gjetur e djegur pak më parë në zonën e Aspropirgos.
Forcat e policisë kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe po kryejnë hetime për rrethanat e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve./Zougla
© SYRI.net