Aktualitet Rajoni

Atentat në Athinë, plagoset një 10 vjeçare shqiptare!

Një ngjarje e rëndë u shënua natën vonë të së premtes, në Agios Panteleimona në Athinë, pas një sulmi të armatosur nga persona të panjohur, që rezultoi në plagosjen e një të miture me origjinë shqiptare.

Më 23:50 me orën greke, katër persona në një makinë iu afruan një kafeneje në rrugën “Agorakritou” nr. 32 dhe hapën zjarr me armë. Gjatë sulmit, vajza rreth 10 vjeçe mori plagë në këmbë.

Nëna e saj nuk priti autoambulancën dhe e transportoi menjëherë për në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou” për kujdes mjekësor.

Siç bën me dije korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe, në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin 10 persona, të gjithë shqiptarë. Më vonë u gjet edhe një makinë e djegur, që dyshohet se i përket autorëve.

Forcat e policisë shkuan me shpejtësi në vendngjarje dhe po kryejnë hetime për zbardhjen e rrethanave e identifikimin e autorëve.