
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Agios Panteleimonas në Athinë, ku një 10-vjeçare me origjinë shqiptare mbeti e plagosur pas të shtënave me armë zjarri ndaj një lokali.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50, në rrugën Agorakritou 32, pranë kafenesë “Amora”. Sipas të dhënave paraprake, persona ende të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së lokalit, shkruajnë mediat greke.
Si pasojë, 10-vjeçarja, vajza e pronarit të kafenesë, është plagosur në këmbën e majtë, në pjesën e pulpës. E mitura është transportuar në spital nga nëna e saj.
Në momentin e sulmit, në kafene ndodheshin rreth 10 klientë, të gjithë shtetas shqiptarë.
Sipas informacioneve të para, në automjet ndodheshin katër persona. Ata kanë qëlluar nga brenda makinës dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Pak kohë më vonë, automjeti i dyshuar se është përdorur në sulm është gjetur i djegur në zonën e Aspropirgou. (A2 Televizion)