Mashtruesit grabisin 95 milionë euro nga Intesa Sanpaolo përmes AI

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.09.2026, 08:55

Një mashtrim financiar me përdorimin e inteligjencës artificiale ka goditur bankën private italiane Fideuram, pjesë e grupit Intesa Sanpaolo, duke shkaktuar një humbje prej rreth 95 milionë eurosh. Sipas Reuters, mbi gjysmën e shumës është rikuperuar, ndërsa rreth 36 milionë euro mbeten ende të pakthyera. Skema nisi në shkurt, kur ish-presidenti i Fideuram, Paolo Molesini, mori në WhatsApp një mesazh që dukej se vinte nga CEO i Intesa Sanpaolo, Carlo Messina, me kërkesën për një transaksion urgjent jashtë vendit.

Mashtruesit e përforcuan skemën përmes një telefonate të rreme nga një drejtues i një studioje të njohur ligjore. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, zëri i avokatit ishte klonuar me anë të inteligjencës artificiale. Duke besuar se udhëzimi ishte autentik, Molesini autorizoi një seri transfertash drejt llogarive jashtë Italisë, kryesisht në Kinë dhe Hong Kong. Pas zbulimit të mashtrimit, autoritetet italiane bashkëpunuan me ato kineze dhe portugeze dhe arritën të rikuperonin rreth 53 milionë euro.

Pjesa tjetër e parave dyshohet se është transferuar përmes një rrjeti llogarish jashtë vendit dhe më pas është konvertuar në kriptomonedha. Molesini dhe drejtues të tjerë të Fideuram nuk janë nën hetim, ndërsa Prokuroria e Milanos ka vënë nën hetim një shtetas të huaj që jeton jashtë Europës. Rasti tregon një nga mënyrat gjithnjë e më të sofistikuara me të cilat inteligjenca artificiale po përdoret për imitimin e zërave dhe identiteteve të drejtuesve, me synim realizimin e transfertave të mëdha financiare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit