Shqipëri-Bjellorusi/ Policia “blindon” Tiranën, ja rrugët që bllokohen nga ora 17:00

Policia e Shtetit ka hartuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, që do të zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe lehtësimin e qarkullimit në Tiranë, nga ora 17:00 deri në përfundim të takimit do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit.
Rrugët që do të bllokohen janë:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
-Te sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
Policia njofton gjithashtu se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve dhe banderolave me përmbajtje raciste.
Policia u bën thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi fluksi i madh para fillimit të ndeshjes mund t’u krijojë vonesa dhe t’u pamundësojë hyrjen në stadium.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë aktivitetit sportiv janë angazhuar qindra punonjës policie.




