Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, sot nis zyrtarisht misionin diplomatik në vendin tonë.
Në orën 11:00, pritet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të cilit do t’i dorëzojë letrat kredenciale. Pas ceremonisë do të zhvillojnë një takim kokë më kokë.
Në këtë detyrë, Eric Wendt pason Yuri Kim-in, e larguar nga posti në qershor të vitit 2023. Deri tani, misioni diplomatik amerikan në Tiranë është drejtuar nga Nancy VanHorn, në cilësinë e të Ngarkuarës me Punë.
Wendt u konfirmua nga Senati Amerikan si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, me 50 vota pro dhe 44 kundër.
Gjatë dëshmisë, deklaroi se një prej prioriteteve të mandatit të tij do të jetë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Ndër të tjera, theksoi se do të fokusohet veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e trafikut të drogës, si dhe në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e mbrojtjes e të sigurisë.
Ambasadori i ri i Uashingtonit ka vlerësuar rolin e Shqipërisë si aleate e NATO-s, si dhe ka shprehur mbështetje për rritjen e investimeve amerikane në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.