Ndeshja mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë do të zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, ndërsa për shkak të fluksit të tifozëve do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve pranë stadiumit.
Masat do të jenë në fuqi nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes. Qëllimi është menaxhimi i lëvizjes së tifozëve dhe automjeteve në zonën përreth stadiumit.
Akset ku do të ketë bllokime ose devijime janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e aksesueshme vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
Në sheshin “Wilson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të vijojnë të jenë të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium do t’i nënshtrohen kontrolleve në hyrje. Nuk do të lejohet futja e sendeve të rrezikshme, fishekzjarrëve, flakadanëve, materialeve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve dhe banderolave me përmbajtje raciste.
Për të shmangur radhët dhe vonesat në hyrje, tifozëve u këshillohet të mbërrijnë në stadium duke nisur nga ora 18:30.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe menaxhimin e fluksit të tifozëve do të ketë prani të shtuar të forcave të rendit në zonën përreth stadiumit.
© SYRI.net