Bota

A mund të bëhet Bjellorusia furnizuese kryesore e SHBA-ve me potas?

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se me Bjellorusinë po diskutohet një “marrëveshje masive”, sipas së cilës do të furnizonte SHBA-të me potas (kalium), me çmim më të lirë se Kanadaja.

Por, që nga njoftimi i Trump-it janë ngritur pikëpyetje, nëse ky shtet i Evropës Lindore mund ta zëvendësojë prodhuesin më të madh të potasit në botë për të përmbushur nevojat e SHBA-ve.

79% të potasit të tyre, element kyç në prodhimin e plehrave artificiale, Shtetet e Bashkuara e importuan  nga Kanadaja gjatë periudhës 2021-2024, sipas të dhënave të publikuara nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve (USGS), në shkurt të këtij viti.

Gjatë kësaj periudhe, potasi nga Bjellorusia ishte nën sanksione amerikane, që u hoqën më 19 mars. Para vendosjes së masave, Bjellorusia furnizonte rreth 5% të nevojave të SHBA-ve.

Ndalesa e radhës: Nju Orllins

Në teori, Bjellorusia ka kapacitet për të rritur ndjeshëm eksportet drejt SHBA-ve. Si një nga eksportueset më të mëdha në botë, ajo prodhon mjaftueshëm për të mbuluar nevojat amerikane për importe.

Bjellorusia prodhoi rreth 6 milionë tonë metrikë potas në vitin 2025, sipas USGS-së, duke u bërë prodhuesja e katërt më e madhe në botë, pas Kinës (6.3 milionë), Rusisë (10 milionë) dhe Kanadasë (15 milionë).

Por, për ta bërë këtë, Minsku duhet të ridrejtojë tregtinë aktuale të potasit, rreth 27% e së cilës shkon në Kinë. Të tjerë blerës kryesorë janë Brazili dhe India.

Problemi është se Bjellorusia nuk ka kapacitete të lira për ta furnizuar SHBA-të me këtë produkt. Ata me siguri nuk do të përplasen me Kinën, blerësen kryesore, tha për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë, Nikolay Kulbaka, ekonomist dhe bashkautor në New Eurasian Strategies Center.

Në fakt, deklaratat i bëjnë jehonë atyre të udhëheqësit autoritar të vendit, Aleksandr Lukashenko.

Edhe nëse do të donim ta furnizonim, ne thjesht nuk i kemi këto vëllime, gjithçka është e kontraktuar, u shpreh më 21 shtator.

Lloje të ndryshme plehrash me bazë potasi kanë qenë produkti kryesor i eksportit të Bjellorusisë dhe ka vlerësime se në vitin 2024, sollën mbi 1 miliard dollarë. Vendi prodhon rreth 15% të prodhimit global të plehrave artificiale.

Me fjalë të tjera, Lukashenko ka gjetur blerës, pavarësisht sanksioneve amerikane dhe të Bashkimit Evropian, në fuqi prej vitesh.

Megjithatë, vëllimet e eksporteve dhe të ardhurat kanë rënë, krahasuar me periudhën para sanksioneve, të vendosura pas shtypjes brutale të protestave pro demokracisë në Bjellorusi, në vitin 2020.

Pra, disa furnizime për në SHBA do të realizohen dhe tashmë janë rrugës.

Ngarkesa e parë bjelloruse me plehra artificiale drejt SHBA-ve në 4 vjet, prej 30.000 tonësh metrikë… pritet të mbërrijë në Nju Orllins muajin e ardhshëm. Kjo do të shënonte tregtinë e parë të potasit mes dy vendeve, që nga heqja e sanksioneve amerikane ndaj potasit bjellorus.

“Importet amerikane nga Kanadaja transportohen përmes hekurudhës drejt SHBA-ve, ndërsa shumica e importeve të potasit dërgohen në Nju Orllins”, tha për REL-in Julia Campbell, drejtuese e shërbimeve të çmimeve të potasit në Argus, kompani që ofron informacione për tregjet e mallrave.

Shumë e pamundur që Amerika të jetë në gjendje t’i zëvendësojë të gjitha importet e saj të potasit nga Kanadaja me potas bjellorus. Që kjo të ndodhë, Bjellorusia do të duhej ta eksportonte potasin e saj pothuajse ekskluzivisht në SHBA, skenar shumë i pamundur.

A është çmimi i duhur?

Pastaj është çështja e çmimit. Kanadaja ka avantazh të madh gjeografik, pasi furnizimet bëjnë një rrugëtim relativisht të shkurtër drejt jugut, përtej kufirit. Transportimi i potasit nga Bjellorusia është një rrugëtim shumë më i gjatë e më i ndërlikuar.

Edhe pse SHBA-të kanë hequr sanksionet ndaj potasit bjellorus, Bashkimi Evropian nuk e ka bërë këtë. Lituania, anëtare e BE-së, tha se nuk sheh arsye për të lejuar tranzitin e potasit përmes portit të saj kryesor, Klaipeda.

Në maj, REL-i raportoi se Uashingtoni iu bëri presion Lituanisë, Polonisë dhe Ukrainës, për të lejuar transportimin e potasit përmes territoreve të tyre.

John Coale, i dërguari amerikan i cili negocioi lirimin e një sërë të burgosurish politikë, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, nuk pranoi të komentonte për këtë çështje.

Bjellorusia do të duhej ta dërgonte potasin e saj përmes hekurudhave dhe objekteve portuale në Rusi. Kjo paraqet pengesë të mundshme, jo vetëm sepse Rusia prodhon edhe më shumë potas se Bjellorusia e do t’u japë përparësi eksporteve të veta.

Kapaciteti [i eksportit] nuk do të rritet ndjeshëm, sepse tani, ata po përpiqen të transportojnë përmes këtyre porteve si drithëra, ashtu edhe qymyr. Pra, nuk do të jetë e mundur të zgjerohen seriozisht mundësitë për eksportimin e plehrave.

Josh Linville, analist i plehrave artificiale në StoneX, kompani amerikane e shërbimeve financiare, u shpreh se nuk beson se do të kishte kuptim ekonomik transportimi i sasive të mëdha të potasit drejt SHBA-ve, duke pasur parasysh distancën dhe vlerën relativisht të ulët të këtij produkti.

Nuk kemi pasur vështirësi për të gjetur potas. Kemi më shumë se sa duhet për të gjithë.

Analisti i pavarur ekonomik, Andrei Makhovsky vuri në pah një çështje teknike që lidhet me llojin e potasit të ofruar nga Belaruskali, prodhuesi më i madh i plehrave me potas në Bjellorusi.

Ekziston potas i bardhë dhe potas rozë. I bardhi kërkon më shumë përpunim, ndërsa Belaruskali kryesisht prodhon plehra me potas rozë. Tregu amerikan kryesisht konsumon potas të bardhë, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë./REL