Një shtetas ukrainas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike është arrestuar nga Policia e Shtetit në momentin që ka zbritur në aeroportin e Rinasit.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit është arrestuar Anatolii Streletskyi, 53 vjeç, shtetas ukrainas, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit.
Arrestimi është kryer nga Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.
Sipas policisë, operacioni u bë i mundur falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Streletskyi kërkohej nga autoritetet ukrainase për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, në kuadër të një organizate kriminale.
Policia e Shtetit bën me dije se po vijon bashkëpunimin me agjencitë partnere lidhur me hetimet për këtë rast, ndërsa Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e 53-vjeçarit drejt Ukrainës, në bashkëpunim me homologët ukrainas.
Policia e Shtetit ka falënderuar agjencitë partnere për bashkëpunimin e vazhdueshëm në Shqipëri në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe veprimtarisë kriminale ndërkombëtare.


