Pas 11 vitesh si njësi administrative e Bashkisë së Sarandës, në Ksamil po merr formë kërkesa për rikthimin e bashkisë.
Banorë të zonës kërkojnë që propozimi për shkëputjen nga Saranda të merret parasysh gjatë diskutimeve për reformën territoriale.
Nisma është shoqëruar me mbledhjen e firmave për referendum dhe me takime me deputetë.
Këshilltari bashkiak i opozitës në Sarandë, Përparim Ahmeti, thotë se kërkesa lidhet me nevojën për më shumë shërbime dhe investime në Ksamil.
Sipas tij, gjatë sezonit turistik, i cili vitet e fundit është zgjatur, në zonë lëvizin deri në 60 mijë banorë e vizitorë.
Një fluks i tillë, argumenton ai, kërkon një administrim vendor që t’u përgjigjet më shpejt nevojave të përditshme.
“Në dëgjesën e fundit, ksamiliotët kanë kërkuar që ne të kërkojmë referendum, të mbledhim firma”, shprehet Ahmeti.
Ai thotë se një grup banorësh ka kontaktuar edhe deputetë, të cilët u kanë premtuar mbështetje për ndjekjen e procedurave ligjore.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga këshilltarët opozitarë dhe një pjesë e biznesit vendas është mënyra se si përdoren të ardhurat e krijuara në Ksamil.
Ata pretendojnë se kontributi financiar i zonës në buxhetin e Bashkisë së Sarandës nuk pasqyrohet në të njëjtën masë në investime dhe përmirësim të shërbimeve.
Ahmeti ngre gjithashtu shqetësimin për pakësimin e hapësirave publike, përfshirë parqet, lulishtet dhe vendet e parkimit.
Sipas tij, mbështetja e banorëve për rikthimin e bashkisë është e lartë.
“Kërkojmë kthimin e Ksamilit bashki”, thotë këshilltari, duke iu referuar edhe propozimit të opozitës për një ndarje të re territoriale me 100 bashki, nga 61 që janë aktualisht.
Për momentin, Ksamili vijon të administrohet nga Bashkia e Sarandës.
Mbledhja e firmave synon t’i japë kërkesës së banorëve një rrugë formale përmes referendumit, ndërsa vendimi për një ndryshim të mundshëm të statusit administrativ do të varet nga procesi i reformës territoriale./Versus.al

