30-vjeçari vjedh një makinë në Durrës, përplas katër automjete në përpjekje për t’i shpëtuar policisë

Një 30-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi tentoi t’i shpëtonte policisë me një automjet të vjedhur dhe gjatë arratisjes përplasi katër automjete.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në rrugën “Pavarësia”, ndërsa i riu rrezikoi edhe jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të policisë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh konstatuan gjatë patrullimit një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, drejtuesi i të cilit kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Policia i bëri shenjë drejtuesit që të ndalonte, por ai shtoi shpejtësinë dhe tentoi të largohej. Gjatë arratisjes, 30-vjeçari përplasi katër automjete.
Më pas ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej me vrap. Megjithatë, shërbimet e policisë arritën ta neutralizonin dhe ta vinin në pranga.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se i arrestuari, shtetasi me inicialet M. K., 30 vjeç, ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.
Sipas policisë, një ditë më parë ai kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’u largohej efektivëve në Durrës.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Hetimit bënë arrestimin e tij në flagrancë për veprat penale “Vjedhja”, “Mosbindja e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.




