Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij

Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij

10:09, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Enver Robelli 

Tash Edi Ramës i mbetet vetëm të kërkojë që rrugës Ferizaj-Gjilan t’i hiqet emri i të birit të Joe Biden. Me propozim të ministres Diella kjo rrugë në Kosovë do të bart emrin e një djali jobiologjik të Edi Ramës. Quhet: Ergys Agasi.

Edi Rama është në hall të madh: shteti i tij tashmë është shpalosur si një korporatë në shërbim të krimit të organizuar! Grupe të ndryshme brenda sistemit që kanë zhvatur kudo ku kanë arritur po luftojnë njëri-tjetrin pamëshirshëm. Bandat kanë depërtuar në palcë të sistemit. Kur shikohet lista e zyrtarëve të arrestuar, të shpallur në kërkim, të dënuar - Shqipëria shfaqet si një republikë bananesh me deputetë që në Kuvend janë thjesht instrumente të brigadave për tregti me drogë. E tillë Shqipëria s’i duhet as BE-së, as vetvetes.

Në këtë situatë dramatike, Edi Rama bën atë që bën përherë: e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij, për shpërqendrim vëmendjeje dhe prodhim mjegulle patriotike.

Gjatë qëndrimit në SHBA me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e akuzoi Joe Bidenin se e paskësh tradhtuar Hashim Thaçin lidhur me Gjykatën Speciale.

Por, në dredhitë e tij Edi Rama e heshti faktin kryesor: në korrik 2015 ai erdhi urgjentisht nga Tirana në Prishtinë me kërkesën këmbëngulëse që parlamenti ta themelonte Gjykatën Speciale. Tha se kjo ishte kërkesë e partnerëve perëndimorë, pra edhe e Joe Bidenit.

Si është e mundur ta akuzosh më 2026 Joe Bidenin e më 2015 të vish në Prishtinë si përkrahës i tij për themelimin e Gjykatës Speciale? Dje misionar i Gjykatës Speciale, sot mallkues i saj. Edi Rama e bën këtë. Sepse nuk ka asnjë skrupull. I duhen këto metafora të qullëta për përdorim të brendshëm popullist.

Joe Biden nuk është më në pushtet, andaj është lehtë të hidhen akuza të tilla. Përkundër rolit të administratës së demokratëve në themelimin e Gjykatës Speciale, ish-presidenti Thaçi u arrestua gjatë qeverisjes së Donald Trumpit dhe u dënua gjatë mandatit të dytë të Trumpit. Por këtë Edi Rama nuk e përmendi në fjalimin e tij në New York. Ai bëhet i fortë vetëm ndaj atyre që nuk kanë pushtet dhe i përkasin të kaluarës, andaj s’paraqesin ndonjë kërcënim për pushtetin e tij. Edhe Trumpin e quante rrezik për botën para se të fitonte zgjedhjet e para presidenciale (te ajo intervista famoze e Ramës në CNN e vitit 2016, ku shtirej si zëdhënës i botës liberale). Tash Trumpin e quan fat për Europën.

Presioni nga administrata e Barack Obamës dhe pastaj Joe Bidenit ndaj Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale mund të ketë qenë i madh dhe, përballë kësaj situate, Thaçi u dorëzua më 2015. Por kur Thaçi filloi ta kritikonte Gjykatën Speciale më 2019, reagimi i ministrit të Jashtëm amerikan Mike Pompeo ishte po ashtu i ashpër. E Pompeo ishte kryediplomati i Donald Trumpit.

Në fund të vitit 2019, Thaçi i shkroi Pompeos se “institucionet e Kosovës i janë tepër mirënjohëse Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti Zyrës për Drejtësi Globale Kriminale të Departamentit të Shtetit, për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për etablimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, por, njëkohësisht, u ankua se Gjykata Speciale është monoetnike dhe po i heton vetëm shqiptarët.

Pompeo u përgjigj pas disa javësh. Në letrën dërguar Thaçit në prag të 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Pompeo shkroi se “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. (...) Puna e Dhomave të Veçanta në formatin aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta mbyllë këtë kapitull në historinë e saj”.

Të gjitha këto fakte Edi Rama i injoroi, sepse atij i intereson vetëm loja me fjalë. Thaçin dhe “tradhtarin Biden” ai i përmendi në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në New York. Ishte një fjalim mes bashkëatdhetarëve. Pastaj mbajti fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Aty - në forumin vjetor të politikës botërore - Kosovën s’e përmendi fare. Foli vetëm për inteligjencën artificiale. Foli për Diellën. Ministren e tij digjitale. Prej Diellës pritej se do të luftonte korrupsionin. Ndërkohë, në burg kanë përfunduar shpikëset e Diellës. Në fjalimin e tij në OKB Rama nuk përmendi rolin destrktiv të Serbisë në rajon, siç bëri kryeministri kroat. Nuk përmendi festimet nacionale serbe gjatë groposjes së kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, siç bëri kryeministri kroat. Nuk përmendi as sulmin terrorist të Millan Radojçiqit me bandën e tij para tri vitesh në veri të Kosovës, me ç'rast u vra një polic dhe u plagosën disa të tjerë.

Në vitin 2023 një fushatë e zhurmshme paramediale tentoi ta bindte opinionin në Kosovë se Edi Rama, me një fjalim para Këshillit të Evropës, do ta bënte shkrumb e hi Raportin famëkeq të Këshillit të Evropës, do ta hidhte në ajër Gjykatën Speciale dhe do t’i qortonte ashpër pizevengët perëndimorë që krijuan këtë monstrum juridik.

Edi Rama e mbajti fjalimin para Këshillit të Evropës. U paralajmërua se Tirana do të shtynte një rezolutë në Këshillin e Evropës mbi këtë çështje. A ka ndodhur diçka ndërkohë? E shkuar, e harruar. Madje, fjalimi mund të ketë dëmtuar ambiciet e Kosovës për hyrje në Këshillin e Evropës.

Kështu duken fshatrat e Potemkinit të Edi Ramës: iluzion, mashtrim, fasadë. I përshtaten edhe motos që mund të lexohet në ueb-faqen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH): “Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë dhe bëjmë më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Në përkthim në gjuhën shqipe, kjo domethënë: jemi në shërbim të krimit të organizuar aty ku shqiptarët nuk e presin dhe bëjmë më të mirën për rehatinë e banditëve.

Tash Edi Ramës i mbetet vetëm të kërkojë që rrugës Ferizaj-Gjilan t’i hiqet emri i të birit të Joe Biden. Me propozim të ministres Diella kjo rrugë në Kosovë do të bart emrin e një djali jobiologjik të Edi Ramës. Quhet: Ergys Agasi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco