Bledar Çafi, 50 vjeç, është arrestuar në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në Shkodër, gjatë operacionit policor të koduar “Muri i Lartë”.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e SPAK.
Gjykata e Posaçme kishte caktuar më 25 shtator 2026 ndaj Çafit masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ai dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për vepra të tjera penale që lidhen me veprimtarinë e një grupi të tillë.
Në operacion morën pjesë Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe BKH-ja.
Policia ushtroi kontrolle edhe për gjetjen e një 43-vjeçari të identifikuar me inicialet E. D., alias I. D., ndaj të cilit është caktuar gjithashtu masa “Arrest me burg” për akuza të lidhura me trafikimin e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal. Ai nuk u gjet gjatë kontrolleve dhe kërkimet për kapjen e tij vijojnë./Versus.al
View this post on Instagram

