Lajmi i fundit

EMRAT/ Arrestohet i 'forti' i Shkodrës, shpallet në kërkim Indrit Dokle

EMRAT/ Arrestohet i 'forti' i Shkodrës, shpallet në kërkim Indrit Dokle

10:49, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një operacion i përbashkët i Policisë së Shtetit, BKH-së dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është zhvilluar në Shkodër dhe Tiranë, në kuadër të hetimeve ndaj një grupi të strukturuar kriminal.

Operacioni, i koduar “Muri i Lartë”, është finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, me ekzekutimin e një mase sigurie “Arrest me burg” ndaj Bledar Cafit, 50 vjeç, banues në Shkodër.

Sipas Policisë së Shtetit, Cafi është arrestuar në banesën e tij në Shkodër. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar më 25 shtator 2026 masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Ai dyshohet për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Kontrollet edhe për Indrit Doklen

Në kuadër të të njëjtit operacion janë kryer kontrolle edhe në ambiente që i përkasin shtetasit E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për një person të shpallur në kërkim që prej vitit 2024, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar gjithashtu masën e sigurisë “Arrest me burg” për dyshimet për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale që lidhen me grupin e strukturuar kriminal.

Gjatë kontrolleve, 43-vjeçari nuk është gjetur në banesë. Policia njofton se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Operacioni është zhvilluar nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme.

Hetimet për këtë procedim vijojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco