Aktualitet

Operacion i SPAK-ut, urdhërarrest për Indrit Doklen/Një person në pranga!

SPAK-u godet një grup të trafikut të drogës, në një operacion në Shkodër e Tiranë. Lëshohet urdhërarrest për Indrit Doklen, ndërsa në Shkodër u arrestua shtetasi Bledar Cafi, 50 vjeç. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme ka caktuar “Arrest me burg”.

Në kuadër të të njëjtit operacion, të koduar “Muri i Lartë”, po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin Indrit Dokles. 43 vjeçari është person në kërkim që prej 2024-ës. GJKKO-ja i ka caktuar “Arrest me burg” për “Trafikim lëndësh narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Dokle nuk u gjet dhe policia thotë se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Policia e Shtetit: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Muri i Lartë”.

Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.

Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.