Edhe pse ka lindur dhe është formuar në Austri, Vesel Demaku vendosi që në nivel kombëtaresh të përfaqësonte Kosovën, duke lënë pas mundësinë për të luajtur për Austrinë.
Të lidhura
None found
Në një intervistë dhënë për mediumin austriak Der Standard, mesfushori ka shpjeguar për herë të parë gjerësisht arsyet që ndikuan në këtë zgjedhje. Sipas tij, vendimi nuk kishte të bënte vetëm me futbollin, por edhe me prejardhjen familjare dhe identitetin e tij.
“Absolutisht. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit – është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare. Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka deklaruar Demaku për lidhjen e tij me Kosovën.
Një rol të rëndësishëm në këtë histori ka edhe gjyshi i tij, Veseli, emrin e të cilit e mban futbollisti. Ai humbi jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës, ndaj mundësia që Demaku të luante për përfaqësuesen kosovare 25 vjet më vonë kishte një kuptim të veçantë.
“Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, është shprehur ai.
Demaku ka nënvizuar se vendimi për Kosovën nuk nënkupton mungesë dashurie apo mirënjohjeje ndaj Austrisë, vendit ku familja e tij gjeti strehim dhe ku ai u rrit.
“E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, ka thënë ai.
Me kalimin e kohës, teksa u njoh më shumë me historinë e Kosovës dhe u përfshi në çështjet politike e historike, bindja e tij për zgjedhjen që do të bënte u forcua.
“Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë – atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100%”, ka rrëfyer futbollisti.
Zgjedhja e tij nuk kaloi pa kundërshti në Austri. Demaku thotë se e kishte parashikuar një reagim të tillë, por mënyra se si u paraqit vendimi e lëndoi, veçanërisht pasi ai e sheh veten si dëshmi të integrimit në shoqërinë austriake.
“Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, ka deklaruar ai.
Për mesfushorin, të luash me fanellën e Kosovës është një përjetim që tejkalon kufijtë e sportit. Ai ka folur për krenarinë e debutimit, emocionet gjatë himnit dhe atmosferën e krijuar para ndeshjeve të përfaqësueses.
“Herën e parë, je jashtëzakonisht krenar. Kur sheh sa krenar mund të krijosh familjen tënde me profesionin tënd, është jashtëzakonisht përmbushëse. Ishte gjithashtu një histori e madhe për babanë tim, babai i të cilit vdiq në luftë”, ka treguar Demaku.
Ai ka kujtuar gjithashtu atmosferën që mbizotëron në Kosovë gjatë sfidave të rëndësishme. Demaku ka theksuar se objektivi i tij dhe i bashkëlojtarëve është që një ditë ta çojnë Kosovën në Kampionat Evropian ose në Kupën e Botës.
“Kualifikimi për një Kupë Bote ose Kampionat Evropian për Kosovën do të ishte i pabesueshëm. Kemi kaq të rinj, duam t’u tregojmë atyre: Po, është e mundur, mund të jesh shqiptar nga Kosova dhe të arrish diçka në jetë”, ka përfunduar Demaku.
