
Bledar Cafi, 50 vjeç, u arrestua mëngjesin e 26 shtatorit në banesën e tij në Shkodër, gjatë operacionit “Muri i Lartë”.
Aksioni u zhvillua nga Policia e Shtetit dhe BKH-ja, nën drejtimin e SPAK-ut.
GJKKO kishte caktuar një ditë më parë ndaj tij masën “Arrest me burg” për dyshime për trafikim narkotikësh në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Dënimi në Itali
Kjo nuk është hera e parë që emri i tij lidhet me një çështje trafiku droge.
Më 26 janar 2021, Policia e Shtetit njoftoi se e kishte ndaluar në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Triestes e kishte dënuar më 4 qershor 2020 me 4 vjet e 2 muaj burgim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafikim droge në sasi të mëdha.
Verifikimi i pasurive
Në vitin 2020, Operacioni Forca e Ligjit u kërkoi Bledar dhe Gëzim Cafit të vetëdeklaronin pasuritë.
Nga verifikimet rezulton se Cafi dhe vëllezërit e tij janë pronarë të disa subjekteve në Shkodër.
Një prej pasurive të paluajtshme që ndodhet në emër të Bledar Cafit është në bashkëpronësi me 7 trashëgimtarë të tjerë, e fituar me dëshmi trashëgimie nga babai i tij Asllani, e legalizuar në vitin 2011 dhe e kaluar në bashkëpronësi në vitin 2017.
Mbi këtë pasuri është ngritur resorti “Prince Of Lake”, i cili përbëhet nga disa biznese si lavazh, Bar-Kafe, Restorant dhe hotel.
Në vitin 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, objekti tre katësh me një sipërfaqe ndërtimi në total 900 m2 u konfiskua me vendim të gjykatës.
Çafi ka qenë në kërkim në vitet 2008–2009 si i dyshuar në një çështje vrasjeje. Ai u shpall i pafajshëm për atë akuzë në vitin 2009. /Versus.al


