“Mbyllim kapitujt brenda vitit 2027”, Fino: Sfida më e madhe “Themelorët” dhe siguria ushqimore

Brukseli zyrtar e shikon pozitivisht punën që Shqipëria po bën sa i përket negociatave për Bashkimin Europian. Për Vizion Plus, zv.ministrja e Jashtme Megi Fino, shprehet se mbyllja e tre grupkapitujve të parë ishte vetëm fillimi, ndërsa Tirana zyrtare pret sinjalin e radhës.
“Padyshim që mbyllja e tre kapitujve në korrik të këtij viti nuk ishte një rast i vetëm. Sigurisht që ne presim që do të ketë edhe raste të tjera që padyshim me këtë ritëm dhe në kuadër të këtij plani pune që kemi dakordësuar me Komisionin Europian”, u shpreh Fino.
Ajo thekson se mbajtja e këtij ritmi aktual mund të bëjë të mundur arritjen e objektivit për të mbyllur të gjithë grupkapitujt brenda vitit 2027, synim ky i dakordësuar edhe me Komisionin Europian.
“Kemi parë që në më pak se dy vjet, janë hapur të gjithë grupkapitujt, janë mbyllur tre kapituj, tanimë kemi bërë progres edhe me piketat e ndërmjetme. Puna vazhdon, është e përditshme, jo vetëm për ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, është një punë që i përket të gjithë qeverisë shqiptare dhe administratës. Pikë së pari padyshim për ne është mbajtja e këtij momentumi apo këtij ritmi dhe këtij angazhimi që ne e kemi maksimal. Vullneti i qeverisë është maksimal”, thotë Fino.
Por cilët sektorë janë më sfiduesit për vendin tonë? Zv.ministrja Fino rendit disa prej tyre nga “Themeloret” e deri tek “Siguria Ushqimore”.
“Mund të përmendja grupkapitullin e themeloreve. Padyshim kapitujt 23 dhe 24 i cili vendos dhe ritmin pak a shumë të të gjithë kornizës negociuese sepse është grupkapitulli që hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Padyshim që për sa i përket kapitujve të bujqësisë dhe zhvillimit rural apo sigurisë ushqimore apo mjedisi. Janë tema dhe janë sektorë të rëndësishëm të cilat prekin dhe kërkojnë kapacitete të shumta në nivel qendror por edhe vendor”, thotë ajo.
Në korrik, vendi ynë zhvilloi konferencën ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku u mbyllën 3 kapitujt e parë, “Shkenca dhe Kërkimi”, “Arsimi dhe Kultura” si dhe “Marrëdhëniet me Jashtë”.




