DETAJE/ SPAK operacion në Shkodër e Tiranë: Arrestohet i “forti” i Shkodrës, rishpallet në kërkim Endrit Dokle!

Aktualitet

Publikuar: 26/09/2026

DETAJE/ SPAK operacion në Shkodër e Tiranë: Arrestohet i “forti” i Shkodrës, rishpallet në kërkim Endrit Dokle!

Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e SPAK, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”. Në kuadër të këtij operacioni është vënë në pranga janë caktuar dy masa sigurie, ndërsa një prej tyre është ekzekutuar në Shkodër.

Bëhet me dije se gjatë operacionit është vënë në pranga 50-vjeçari Bledar Çafi. Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër.

Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij  “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

NUOFTIMI

Finalizohet operacioni policor i koduar “Muri i Lartë”.

Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.

Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.