Tre ditë pas vendosjes së masës së arrestit mbi Vlora Hysenin vazhdojnë diskutimet mbi kohën e zgjedhur nga Gjykata dhe SPAK për të komunikuar masën e arrestit në shtëpi.
Gazetari Elton Qyno ka zbuluar në emisionin “Mashqip” të kolegut Flamur Vezaj arsyen se pse Vlora Hyseni ka qëndruar në Kosovë.
“Ka shkuar në Kosovë sepse e kanë njoftuar që babai i saj ka qenë shumë i sëmurë. Dhe pasi ka vizituar babain e saj në spital, ajo ka komunikuar dhe me familjarë të tjerë në Kosovë dhe më pas është nisur në pikën doganore të Morinës ku edhe është dorëzuar.
Sigurisht ka pasur gjithë kohën e domosdoshme për të lënë telefona, për të lënë sende kompromentuese, për të lënë çdo gjë që ajo mendon se duhet lënë në Kosovë dhe nuk duhet marrë me vete në Shqipëri”, tha gazetari Elton Qyno.
Gjithë procedura e dorëzimit të Vlora Hysenit ka pasur një aurë misteri. Dy gazetarë Basir Çollaku dhe Gjergji Thanasi, kanë publikuar në rrjetet e tyre sociale edhe informacionin se ajo ka mbërritur në pikën e Morinës me një makinë me targa serbe, duke shtuar më shumë dyshimet për lëvizjet e aktivitetin e shefes së shërbimit informativ të shtetit.
Vlora Hyseni është vendosur në masën e arrestit në shtëpi nga GJKKO pas kërkesës së SPAK pasi del në komunikim të vazhdueshëm me të kërkuarin nga drejtësia Ergys Agasi, tanimë, edhe ky i fundit i vendosur nën arrest.
