Bota

Polonia i ofron stimuj financiarë SHBA-ve/Bisedime për bazën ushtarake!

Polonia po ofron të paguajë 15.000 dollarë në vit, për çdo ushtar amerikan të stacionuar në territorin e saj dhe gjithashtu po ofron mbulimin e kostove të infrastrukturës, ndërsa Varshava dhe Uashingtoni afrohen drejt një marrëveshjeje për krijimin e një baze të përhershme ushtarake amerikane.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zv.ministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, tha se negociatat me Pentagonin, tani janë përqendruar në mënyrën e zbatimit të planit, përfshirë trupat, kapacitetet dhe lokacionet e mundshme.

Po diskutojmë me Pentagonin variante të ndryshme të zbatimit të vendimit.

Ai refuzoi të tregonte se cilat njësite amerikane mund të vendosen apo ku, por Zalewski zbuloi detaje të reja të ofertës së Polonisë për Uashingtonin.

Ne po ofrojmë kushte shumë speciale për trupat amerikane. Do t’i mbulojmë kostot e infrastrukturës. Gjithashtu, po mbulojmë koston e secilit ushtar amerikan të stacionuar në Poloni, me 15.000 dollarë në vit.

I pyetur se kush do të paguante, Zalewski u përgjigj:

Paguhet nga taksapaguesit polakë.

Oferta vë në pah vendosmërinë e Varshavës për të siguruar një prani të përhershme ushtarake amerikane, teksa Pentagoni po shqyrton dislokimin e forcave amerikane në të gjithë Evropën.