Jude Bellingham është shpallur për të dytin vit radhazi “Lojtari i Vitit” i Anglisë, pas një tjetër paraqitjeje të jashtëzakonshme me kombëtaren.
Mesfushori i Real Madrid shënoi 7 gola në Kupën e Botës 2026, duke vendosur një rekord të ri për numrin më të madh të golave të shënuar nga një futbollist anglez në një edicion të vetëm të Botërorit.
Pavarësisht humbjes dramatike ndaj Argjentinës në gjysmëfinale, Bellingham ishte një nga protagonistët kryesorë të rrugëtimit të Anglisë, e cila siguroi vendin e tretë pas fitores 6-4 ndaj Francës në ndeshjen për medaljen e bronztë.
Bellingham spikati veçanërisht në fazën me eliminim direkt. Ai shënoi dy gola ndaj Meksikës në fitoren 3-2 në fazën e 1/8-ve, ndërsa realizoi sërish dopietë në çerekfinale ndaj Norvegjisë.
Çmimi u përcaktua nga votat e tifozëve, ndërsa vetë Bellingham e cilësoi atë si një nder të madh.
“Është një ndjesi fantastike. Është një nder i madh të vlerësohesh sërish nga tifozët. Nuk është diçka që e mendon kur luan për kombëtaren, por sigurisht që është një shtesë e bukur në një verë të madhe për ne”, u shpreh ai.
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, vlerësoi maksimalisht paraqitjet e mesfushorit madrilen, duke e konsideruar atë ndër lojtarët më të spikatur të turneut.
“Ai ishte një nga lojtarët e turneut, jo vetëm për ne, por në përgjithësi. Tregoi potencialin e tij të plotë. Është një konkurrues i jashtëzakonshëm dhe një makineri. Nën presion ai bëhet edhe më i fortë dhe pikërisht në këto momente jep më të mirën”, tha Tuchel.
Tashmë Anglinë e pret një tjetër sfidë të madhe, teksa të shtunën në “Wembley” do të përballet me Spanjën, kampionen e botës, në një përballje të rëndësishme të Nations League. Më pas, “Tre Luanët” do të kenë përballje me Kroacinë dhe Çekinë.