Tre shtetas shqiptarë dyshohet se ndodhen mes gjashtë personave të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese në Athinë, pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi zonën e Plakës një ditë më parë.
Ekipet e emergjencës vijojnë operacionin e kërkim-shpëtimit për lokalizimin dhe nxjerrjen e personave që dyshohet se ndodhen nën rrënoja, ndërsa autoritetet greke po punojnë për të përcaktuar përmasat e plota të ngjarjes.
Shpërthimi ndodhi pak para orës 08:00, në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në rrugën Lysikratous, përballë Shtyllave të Zeusit Olimpik. Si pasojë e fuqisë së shpërthimit, ndërtesa u shemb, ndërsa një kalimtar mbeti i plagosur lehtë nga copëzat që u shpërndanë në zonën përreth.
Pas shpërthimit, forcat zjarrfikëse ndërhynë edhe në një ndërtesë pranë vendit të ngjarjes, ku arritën të nxjerrin dy gra, njëra prej tyre e moshuar. Të dyja u transportuan në spitalin “Georgios Gennimatas” për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, operacioni i kërkim-shpëtimit vijon pa ndërprerje për gjetjen e gjashtë personave që dyshohet se kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesës së shembur. Sipas informacioneve paraprake, mes tyre ndodhen edhe tre shtetas shqiptarë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit. Ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën në terren, përpjekjet janë përqendruar te verifikimi i situatës brenda objektit dhe nxjerrja e personave që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
#Athinë #Greqi #Shqiptarë #Shpërthim #Plaka #KërkimShpëtim #Rrënoja #Zjarrfikësit


