Hetimet për sulmin me armë ndaj një kafeneje në zonën e Agios Panteleimonas në Athinë po zbardhin detaje të reja, ndërsa policia greke vijon kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e katër personave të dyshuar si autorë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur autorët hapën zjarr me armë automatike drejt lokalit, duke qëlluar nga një automjet. Në atë moment, brenda kafenesë ndodheshin rreth 10 persona, të gjithë shtetas shqiptarë.
Pista kryesore: Porosia mund të jetë dhënë nga burgu
Hetuesit grekë po shqyrtojnë disa pista për motivin e sulmit. Dyshimet paraprake lidhen me konflikte personale, ndërsa një nga pistat kryesore është se urdhri për të qëlluar ndaj lokalit mund të jetë dhënë nga një person që ndodhet aktualisht në burg.
Autoritetet po analizojnë provat e mbledhura në vendngjarje dhe po punojnë për të identifikuar personat që morën pjesë në sulm.
Plumbat kapën vajzën 10-vjeçare
Nga breshëria e armëve u plagos në këmbë një vajzë 10-vjeçare, e cila është vajza e pronarit shqiptar të kafenesë.
E mitura u dërgua në spital dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse dëmtimi është shkaktuar nga një plumb apo nga një copëz e shkëputur gjatë të shtënave.
Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes pas sulmit.
Makina e autorëve u gjet e djegur
Rreth dy orë pas të shtënave, policia greke gjeti në zonën e Aspropyrgos automjetin që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Makina ishte djegur, ndërsa brenda saj u gjet edhe një kallashnikov.
Arma dhe automjeti janë marrë në cilësinë e provave materiale dhe po analizohen nga autoritetet greke, të cilat shpresojnë të sigurojnë të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e katër personave të përfshirë në sulm.













