Arrestimi i Vlora Hysenit, Berisha: Skandal i jashtëzakonshëm, kërkon përgjigje

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit, duke e cilësuar çështjen si një prej skandaleve më të rënda në historinë e Shqipërisë. Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha ngriti akuza të forta ndaj Hysenit, të cilën e akuzoi për lidhje me krimin e organizuar.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha tha se arrestimi i drejtueses së një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së vendit përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë.
“Java që lamë pas është java e skandalit më të jashtëzakonshëm jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por e një skandali që njeh gjithsej edhe dy raste të tjera të ngjashme në historinë e botës”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut të PD-së, Hyseni dyshohet për bashkëpunim me organizatën kriminale të Ergys Agasit dhe për nxjerrje të sekretit shtetëror.
“Arrestohet për bashkëpunim me organizatën kriminale më të rrezikshme në Evropë të Ergys Agasit për nxjerrje të sekretit shtetëror, duke shkaktuar kështu rënien e plotë të piramidës së sigurisë së vendit”, deklaroi ai.
Berisha theksoi se, sipas tij, një hetim i tillë është veçanërisht i rëndë kur bëhet fjalë për një drejtues të shërbimeve inteligjente, pasi këto poste kërkojnë nivel të lartë besimi dhe certifikimi.
Kreu i PD-së ngriti gjithashtu pikëpyetje për mënyrën se si Vlora Hyseni u emërua në krye të SHISH.
“Ndërkohë që Vlora Hyseni është emëruar në atë post absolutisht jashtë çdo kriteri dhe përbën kjo një nga çështjet më madhore që kërkon përgjigje”, tha Berisha.
Ai tha se Hyseni ishte denoncuar prej tij që në ditët e para pas emërimit dhe se edhe Ergys Agasi ishte akuzuar prej tij në mënyrë të përsëritur për ndikim mbi shërbimin informativ.
Berisha komentoi edhe rikthimin e Hysenit në Shqipëri, duke pretenduar se ajo ishte kthyer në një kohë kur nuk mbante më detyrë qeveritare.
“Ergys Agasi është akuzuar nga Sali Berisha në mënyrë të përsëritur se kishte në kontroll të plotë shërbimin informativ kombëtar.
Vlora Hyseni arrestohet apo shpallet urdhër arresti në një kohë kur ajo nuk ishte në qeveri, çka dëshmon se qeveritarët aktualë donin me çdo kusht që ajo të kthehet.
Por ajo u kthye dhe me sa duket është kthyer për t’u dhënë restin bashkëpunëtorëve të vet që e tradhtuan, sipas saj.
Ndaj dhe zhvillimet e mëpastajme do jenë po të këtij kalibri, po të këtij niveli”, deklaroi Berisha.




