Eric Wendt ka nisur zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm, Wendt mbërriti në Pallatin e Brigadave, ku i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ceremonia u zhvillua në orën 11:00 dhe pritet të pasohet nga një takim kokë më kokë mes Presidentit Begaj dhe ambasadorit të ri amerikan.
Wendt mbërriti në Shqipëri një ditë më parë, të premten, ku u prit nga drejtues të protokollit të shtetit dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Pas rreth 20 minutash në terminalin VIP të Rinasit, ai u nis drejt Tiranës, me ndalesën e parë në selinë diplomatike amerikane në Rrugën e Elbasanit.
Ambasadori i ri amerikan pritet që të zhvillojë të hënën takimin e parë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë pritet të organizojë edhe ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri në një hotel në qendër të kryeqytetit. Pritja pritet të tërheqë vëmendje edhe për listën e të ftuarve dhe praninë e përfaqësuesve nga skena politike shqiptare.
Gjatë seancës së konfirmimit në Senatin amerikan, Wendt paraqiti katër fusha kryesore që do të udhëheqin misionin e tij në Shqipëri. Në fokus janë mbështetja e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës, forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri kibernetike, diplomacia ekonomike dhe tregtare, si dhe puna me stafin e Ambasadës.
Wendt ka deklaruar gjithashtu se synon të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, në përputhje me marrëveshjen e Samitit të NATO-s në Hagë.
Gjenerallejtënant në pension, Eric Wendt ka më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane. Gjatë karrierës së tij ka komanduar strukturat e Operacioneve Speciale të NATO-s, ndërsa ka mbajtur edhe poste të rëndësishme në fushën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit. Ai ka shërbyer gjithashtu si koordinator i sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në vitet 2017–2019.
Me mbërritjen dhe paraqitjen e letrave kredenciale nga Wendt, SHBA-të kanë tashmë ambasador të akredituar në Tiranë pas përfundimit të mandatit të Yuri Kim në qershor 2023.


