Industria shqiptare e tekstileve dhe këpucëve po përballet me një krizë të zgjatur, duke shënuar vitin e katërt radhazi në rënie. Sektori po goditet nga dobësimi i euros, mungesa e fuqisë punëtore, rritja e pagave dhe largimi i porosive drejt vendeve me kosto më të ulët. Kompanitë shqiptare punojnë kryesisht me porosi nga tregjet europiane, ndërsa kostot e prodhimit mbulohen në lekë. Në 6-mujorin e parë të vitit 2026, eksportet e tekstileve ranë me 6.6%, ndërsa ato të këpucëve me 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia po shoqërohet edhe me tkurrje të prodhimit dhe punësimit. Në vitin 2025, industria e tekstileve, veshjeve, lëkurës dhe këpucëve u tkurr me 5%, pas rënieve të njëpasnjëshme në 2023 dhe 2024. Ndërkohë, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024 sektori punësonte rreth 40 mijë persona, niveli më i ulët në një dekadë. Krahasuar me vitin 2019, janë humbur rreth 15.7 mijë vende pune. Industria e këpucëve është goditur më fort, me rreth 9 mijë punonjës më pak, ndërsa sektori i tekstileve ka humbur rreth 6.7 mijë vende pune. Në të njëjtën kohë, porositë nga klientët e huaj, veçanërisht italianë, po zhvendosen drejt tregjeve si Maroku dhe vendet e Lindjes së Mesme, ku kostot e punës janë më të ulëta.