Policia ka zbardhur rrethanat e plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 25 shtator në rrugën “Hysni Gërbolli”, pranë “Zogut të Zi” në Tiranë. I plagosur në këmbë mbeti 33-vjeçari nga Kosova, Gjenk Karabeg.
Sipas hetimeve, ngjarja nisi pas një konflikti në një lokal. Sajmir Pasmaciu, 54 vjeç, dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj Karabegut dhe më pas u largua. Ai është shpallur në kërkim, ndërsa policia vijon punën për kapjen e tij.
Në konflikt u përfshi edhe 20-vjeçari Samuel Tahiraj, i cili u arrestua nën dyshimin se është përleshur me persona të tjerë duke përdorur sende të forta.
Dy persona të tjerë, 49 dhe 18 vjeç, po hetohen në gjendje të lirë. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një armë gjahu, një thikë dhe municion.
Në pranga përfundoi edhe vetë i plagosuri, Gjenk Karabeg. Nga verifikimet rezultoi se ai ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burg për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi.
Emri i Tahirajt është përmendur edhe në një ngjarje të gushtit 2025, kur policia njoftoi arrestimin e tij dhe të dy të rinjve të tjerë për dhunimin e një 21-vjeçari në Tiranë./Versus.al

