Policia zbardhi plagosjen me armë zjarri, dje pranë “Zogut të Zi” në Tiranë, ku mori plagë në këmbë 33-vjeçari Gjenk Karabeg. I njohur si “Leumasi”, ai është këngëtar nga Kosova.
Për ngjarjen u vu në pranga 20-vjeçari Samuel Tahiraj, ndërsa si autor i dyshuar u identifikua dhe u shpall në kërkim 54-vjeçari Sajmir Pasmaçiu. Dy vetë po procedohen në gjendje të lirë.
Në pranga përfundoi edhe i plagosuri. Gjenk Karabeg rezultoi në kërkim në Kosovë. 33-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi, i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burg për posedim të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Sipas Policisë, gjithçka nisi nga një konflikt në një lokal në rrugën “Hysni Gërbolli”. Gjatë përplasjes, dyshohet se Pasmaçiu qëlloi me armë zjarri Karabegun duke e plagosur. Më pas u largua nga vendngjarja.
Në konflikt u përfshi edhe Samuel Tahiraj, i cili u përlesh me disa persona, me sende të forta. Nga përplasja mbeti i dëmtuar një 18-vjeçar.
Tahiraj u arrestua për “Plagosje të lehtë me dashje”, “Moskallëzim krimi” dhe “Prishje të qetësisë e rendit publik”.
Dy shtetas 49 e 18 vjeç u proceduan në gjendje të lirë, si të dyshuar se goditën me sende të forta Tahirajn.
Policia sekuestroi një armë gjahu, një thikë, municion luftarak e disa fishekë.